Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu në një deklaratë për mediat ku ka ngritur një sërë akuzash për kryebashkiakun Rakip Suli, ka akuzuar gjithashtu edhe SPAK, pasi sipas tij nuk ka ndërmarrë asnjë aksion ndaj këtyre abuzimeve.
Balliu theksoi disa herë se SPAK shtiret sikur nuk ka informacione për shkeljet që po bëhen në Bashkinë e Kamzës, pavarësisht se dokumentacionet janë bërë publike.
“SPAK-u dhe çdo instancë ligjzbatuese në vend bën sikur nuk e di se çfarë shkeljesh kryhen në Bashkinë Kamëz, ndërkohë që këto dokumente dhe informacione janë publike. Së dyti, fondi limit i kësaj procedure prokurimi është 269,364,773 lekë pa TVSH. Oferta e shoqërisë fituese sipas formularit të njoftimit të fituesit është 269,064,786 lekë pa TVSH. Pra, të nderuar taskapagues të Bashkisë Kamëz, zhvillimi i kësaj procedure rindërtimi ju ka kursyer 299,987 lekë. Pra, në një fond limit 2 miliard e 700 milion lekë, tenderuesit e Z. Rakip Suli ju kanë kursyer 3 milion lekë, pra rreth 0.11%.
Kjo ka ndodhur sepse abuzimi me këtë fond rindërtimi nuk ka patur si qëllim mirëpërdorimin e fondeve publike, uljen e shpenzimeve proceduriale, nxitjen e konkurencës dhe rritjen e eficensës. Zhvillimi i kësaj procedure ka patur si qëllim abuzimin me fondet e rindërtimit, dhe përdorimin e parave të vjedhura për fushatë elektorale. Përsëri SPAK –u nuk di gjë për këto abuzime, pavarësisht se informacioni dhe dokumentacioni janë publik. Së treti, disa ofertues janë skualifikuar në këtë tender abuziv, me pretendimin se nuk plotësojnë kriteret për kualifikim për numrin e punonjësve.
Ndërkohë, edhe shoqëria fituese nuk e plotëson këtë kriter për kualifikim.
Sërish SPAK nuk e ka ditur që, vetëm një ditë përpara se Bashkia Kamëz të publikonte formularin e Njoftimit të Fituesit më 20 dhjetor 2022, në Buletinin nr. 173, datë 19 Dhjetor 2022, shoqëria “Kupa” është shpallur fituese nga Ujësjellës Kanalizme SHA Dibër”, tha Balliu.