Inflacioni pritet të luhatet rreth niveleve aktuale gjatë pjesës së mbetur të vitit 2024 dhe të rritet gradualisht drejt objektivit gjatë gjysmës së parë të vitit 2025.
Kështu deklaroi sot për mediet, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, teksa vuri në dukej se, “rënia e inflacionit në 3-mujorin e dytë 2024, ishte e shpejtë, duke regjistruar një nivel mesatar prej 2.1%, e diktuar nga rritja e ofertës së artikujve ushqimorë në tregjet rajonale dhe në tregun vendas”.
Sipas tij, efektet e kësaj goditjeje në inflacion priten të jenë të pranishme edhe gjatë pjesës së mbetur të vitit.
Guvernatori tha se, kjo rënie ishte disi më e shpejtë nga pritshmëritë e Bankës Qendrore.
Sejko informoi se, nga këndvështrimi makroekonomik, trendi rënës i inflacionit vijon të pasqyrojë në masën më të madhe reduktimin e inflacionit të importuar.
“Nga ana tjetër, inflacioni i brendshëm shfaqet relativisht i qëndrueshëm, duke pasqyruar si kërkesën solide për mallra e shërbime, ashtu edhe rritjen e shpejtë të pagave dhe të kostove të prodhimit”, u shpreh Sejko./ata