Banka e Shqipërisë shprehet se momenti pozitiv i zhvillimit të ekonomisë shqiptare do të vijojë edhe në të ardhmen. Vëllimi i aktivitetit ekonomik pritet të rritet gjatë vitit 2024 e në vazhdim.

Guverantori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në konferencën për shtyp, pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, tha se, “të dhënat e disponuara sugjerojnë se ekonomia shqiptare vijon të qëndrojë në një trend pozitiv zhvillimi”.

Sipas tij, aktiviteti ekonomik, punësimi dhe pagat kanë vijuar të rriten gjatë dy tremujorëve të parë të vitit, inflacioni ka ardhur në rënie, tregjet financiare kanë qenë relativisht të qeta, ndërsa kreditimi ka shënuar rritje progresive.

“Këto zhvillime kanë qenë, në përgjithësi, në linjë me pritjet tona të Bankës Qendrore”, u shpreh Sejko.

Guvernatori deklaroi se, rritja ekonomike ka vijuar të udhëhiqet nga zgjerimi i konsumit dhe i investimeve private, si dhe nga zgjerimi i sektorit të turizmit. Ndërkohë që, burimet e rritjes shfaqen të shëndetshme, duke dhënë garanci për qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike në të ardhmen.

“Përmirësimi i gjendjes financiare të sektorit privat, mjedisi financiar i qëndrueshëm dhe akomodues, rritja progresive e kredisë, si dhe pritjet pozitive për të ardhmen po ushqejnë rritjen e kërkesës së brendshme. Paralelisht me to, interesi për të vizituar dhe për të investuar në Shqipëri sikurse lexohet nga numri i lartë i vizitorëve dhe rritja e investimeve të huaja direkte gjatë muajve të parë të vitit po ushqen rritjen e eksporteve të shërbimeve dhe të sektorëve të lidhur me të”, tha Sejko.

Ai nënvizoi se, në vlerësimet e BSH-së, ekonomia shqiptare qëndron ende në një fazë pozitive të ciklit të biznesit.

Sipas tij, ky vlerësim mbështetet, nga raportimet e bizneseve për rritjen e shfrytëzimit të kapaciteteve të tyre prodhuese dhe nga zhvillimet pozitive në tregun e punës. Përshpejtimi i rritjes së pagave të sektorit privat në 12.7 % në tremujorin e parë dhe rritjen e vazhduar të tyre në sektorin publik./ata