Temperaturat nën 0°C, që kanë përfshirë të gjithë territorin e vendit, kërkojnë kujdes të shtuar nga drejtuesit e automjeteve, ndërkohë që të gjitha akset rrugore janë të hapura për qarkullim.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale informacionin më të fundit mbi kushtet e motit, ndërsa apeloi për respektimin e rregullave të qarkullimit.

“Vendi është përfshirë nga temperatura shumë të ulëta. Kujdes! Përdorni goma dimri në zonat ku ka borë dhe ngrica, respektoni sigurinë rrugore dhe ulni shpejtësinë”, shkruan Rama.

Aktualisht në gjithë vendin akset rrugore janë të hapura për qarkullim, ndërkohë që temperatura të ulëta parashikohen edhe në ditët në vijim.

Sipas informacioneve të fundit, temperaturat më ekstreme janë regjistruar në Valbonë dhe në Dardhë me -12°C, ndërkohë që në Korçë termometri shënon -7°C, në Llogora -8°C dhe në Dibër -11°C./ATSH