Këto ditë në Shqipëri ka qenë regjisori Oliver Stone, një nga emrat më të njohur të kinematografisë botërore, i cili mund të konsiderohet edhe si një prej legjendave të gjalla të Hollivudit.

Regjisori, producenti e skenaristi amerikan, pas një turi në jugun e vendit, ka vizituar edhe Tiranën dhe një nga ndalesat e tij ka qenë në Muzeun Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”, ku u emocionua nga njohja me faktet dhe dëshmitë e periudhës së Luftës së Ftohtë. Gjatë vizitës së tij në Tiranë, Oliver Stone pati mikpritjen e MEKI-t dhe u shoqërua nga Eol Çashku, kryetar i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë si dhe zëvendës ministrja Lira Pipa.

Oliver Stone është një nga personalitetet më me influencë në kinematografinë amerikane: fitues i shumë çmimeve, autor e regjisor i shumë filmave që kanë hyrë në histori si kryevepra të kinematografisë botërore. Mes tyre veçojmë vepra si “Scarface” (1983), “Salvador” (1986), “Platon” (1986), “Wallstreet” 1987, “Born on the fourth of July” (1989), “JFK” (1991), “The Doors” (1991), “Natural Born Killers” (1994), “Nixon” (1995), “Any Given Sunday” (1999), “Comandante” (2003), etj.

Mes çmimeve të shumta fituar anembanë globit, Stone rendit edhe 4 statuja të Academy Awards (Çmimet Oscar), 2 prej të cilëve për regjinë më të mirë, një për skenarin e përshtatur më mirë dhe një tjetër për filmin më të mirë.

Karriera e tij artistike luhatet nga filma historikë, tek musicals e tek dramat kriminale. Tema e luftës në Vietnam, paraqitur në krijimtarinë e tij si regjisor e skenarist, u ndikua edhe nga ngjarje të jetuara prej tij, në jetën reale, ndërsa shërbente në ushtrinë amerikane në Vietnam, ku edhe u plagos dy herë./ata