Kreu i "Mossad"-it, shërbimit të inteligjencës së jashtme të Izraelit, David Barnea ka udhëtuar në kryeqytetin e Katarit, Doha, për të diskutuar mbi shkëmbimin e pengjeve mes Tel Avivit dhe Hamasit.

Sipas lajmit të televizionit shtetëror izraelit KAN, Barnea gjatë vizitës në Doha do të takohet me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani.

Thuhet se në takimin mes Barnea-s dhe Al Thani-t do të diskutohet propozimi për shkëmbimin e pengjeve mes Izraelit dhe Hamasit.

Në lajm tërhiqet vëmendja se në vizitën e Barnea-s në Doha, nuk janë të përfshirë Ronen Bar, drejtori i Agjencisë së Brendshme të Inteligjencës izraelite Shin-Bet (Shabak) dhe Nitzan Alon, komandanti përgjegjës për personat e zhdukur dhe robërit në ushtrinë izraelite, të cilët kanë qenë në delegacionin e negociatave.

Në deklaratën me shkrim të "Mossad"-it më 3 korrik thuhej se palët që bëjnë ndërmjetësim në negociatat për shkëmbimin e pengjeve i kanë përcjellë ekipit negociator izraelit përgjigjen që Hamasi ka dhënë lidhur me propozimin për armëpushim.

Netanyahu kishte bërë të ditur se ka vendosur të dërgojë një delegacion nga Izraeli në negociatat që do të mbahen për arritjen e një marrëveshjeje për shkëmbimin e pengjeve mes Tel Avivit dhe Hamasit./aa