Qytetarët kosovarë kanë bindje të ndryshme sa i përket rezultatit që do të prodhojnë zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Qytetarët e Kosovës kanë shprehur mendimet e tyre për Anadolu, lidhur me zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit në SHBA.

Midis kandidates demokrate për presidente të SHBA-së, Kamala Harris dhe kandidatit republikan për president, Donald Trump, disa nga qytetarët shprehen skeptikë për të dytin dhe ndikimin në favor të shtetit të Kosovës që mund ta ketë Trump.

Por, të tjerë mendojnë se pavarësisht presidentit të SHBA-së, të cilin e zgjedhin shtetasit amerikanë, Kosova do të vazhdojë të ecën me ritmin e njëjtë në rrugën e saj të zhvillimit.

Sipas Shaip Hajrizit, kosovarët tradicionalisht kanë qenë në përkrahje të demokratëve në SHBA. Madje, ai thotë se shumicën e rasteve, prej partisë demokratike në SHBA, Kosova ka pasur përfitime.

"Prandaj, dëshira ime personale është të fitojë Harris, e cila e zëvendëson Bidenin, mirëpo, problem do të jetë sepse kandidati Trump po udhëheqë me shumicën e vendeve", thekon Hajrizi.

Ai beson se ish-administrata e udhëhequr nga Donald Trump dhe emisari Richard Grenell kanë ndikuar në rrëzimin e mandatit të parë si kryeministër të Albin Kurtit, por, thotë se kryeministri kosovar nuk arriti që të krijojë raporte të mira as me presidentin Biden gjatë mandatit aktual të Kurtit.

 

- "Ne si kosovarë mirëpresim vendimin e qytetarëve amerikanë"

Shyqri Dumani beson se qytetarët amerikanë do ta zgjedhin presidentin më të mirë. Mirëpo, ai shprehet me rezerva për kandidatin republikan Donald Trump, për të cilin kujton se ka pasur disa hetime dhe akuza dhe "rrjedhimisht nuk e ka një bagazh të përshtatshëm për t’i fituar zgjedhjet".

"Ne si kosovarë, si shtet i Kosovës, mirëpresim vendimin e qytetarëve amerikanë. Kushdo që vjen është i mirëseardhur dhe ne me Amerikën kemi histori të veçantë dhe një miqësi të veçantë dhe shumë specifike", thotë Dumani.

Ai thotë se përcaktimet e kandidatit Trump nuk janë aq të përshtatshme në raport me Evropën dhe Ukrainën. Sipas tij, nëse Rusia fiton luftën në Ukrainë do të ndodhë një "kthim prapa" dhe do të ndryshojë gjithë rendi botëror.
 

- "Sa i përket interesave tona, është njësoj, si për Trump, ashtu sikurse edhe Harris"

Ndërkaq, Isuf Musliu, thotë paraprakisht se të drejtat e kosovarëve nuk po respektohen ngase "me siguri, jemi të vegjël".

Sa i përket zgjedhjeve në SHBA, Musliu thotë se cilido kandidat presidencial që të fitojë do të jetë njësoj për Kosovën, derisa beson që qytetarët amerikanë do të jenë të kujdesshëm dhe të dijshëm në zgjedhjen e presidentit.

"Sa i përket interesave tona, është njësoj, si për Trump, ashtu sikurse edhe Harris. Ne duhet ta dimë mirë, duhet të punojmë për drejtësi dhe për të drejtat tona. Nëse punojmë ne për veten tonë, na ndihmojnë cilido që vjen si në SHBA si kudo, sepse i kemi aleatë", theksoi Musliu./aa