Hungaria ka anuluar takimin mes shefes së diplomacisë gjermane, Annalena Baerbock dhe atij të diplomacisë hungareze, Peter Szzijjarto, të planifikuar për më 8 korrik në Budapest.
Siç raportuan mediat gjermane, Baerbock nuk do të vizitojë Budapestin më 8 korrik.
Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë theksoi se pala hungareze anuloi takimin me ministrin Szijjarto, duke shtuar se pala gjermane është e zhgënjyer nga anulimi.
“Një takim serioz dhe i ndershëm mes dy ministrave të jashtëm do të kishte qenë shumë i rëndësishëm në lidhje me vizitën e papritur dhe të pakoordinuar të kryeministrit Orban në Moskë”, tha ministria gjermane.
Dje, kryeministri hungarez, Viktor Orban, vizitoi Moskën dhe u takua me presidentin rus, Vladimir Putin.
Vizita e kryeministrit Orban në Moskë, e para e tij që nga fillimi i luftës në Ukrainë, u kritikua nga presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikën e jashtme, Josep Borrell.
Në lidhje me “misionin e paqes” të kryeministrit hungarez në Moskë, Michel tha se “presidenca e radhës e BE-së (Hungaria) nuk ka mandat të angazhohet me Rusinë në emër të BE-së”.
Borrell po ashtu deklaroi se Orban nuk përfaqësonte BE-në në asnjë mënyrë./aa