Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, u takua me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili ndodhet për vizitë në rajon për të diskutuar mbi negociatat e kryera mes Tel Avivit dhe Hamasit për shkëmbimin e pengjeve dhe arritjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.

Takimi Netanyahu-Blinken filloi në zyrën e kryeministrisë izraelite në Kudsit Perëndimor, ku pritet të diskutohet për shkëmbimin e pengjeve dhe negociatat e armëpushimit në Gaza.

Pas këtij takimi, Blinken pritet të takohet me ministrin izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant. Sekretari amerikan i Shtetit sot në mëngjes u prit nga presidenti izraelit, Isaac Herzog.

Në deklaratën e tij para takimit, Blinken tha se negociatat aktuale mund të jenë "shansi i fundit" mes Izraelit dhe Hamasit për shkëmbimin e pengjeve dhe arritjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.

Në kryeqytetin e Katarit, Doha, më 15-16 gusht u mbajtën negociata për një shkëmbimin e pengjeve midis Izraelit dhe Hamasit dhe sigurimin e armëpushimit në Gaza.

Hamasi ka deklaruar se Netanyahu pengoi arritjen e një marrëveshjeje duke vendosur kushte të reja në negociatat e ndërmjetësuara nga SHBA-ja, Egjipti dhe Katari./aa