Kryeministri Edi Rama sërish solli në vëmendjen e të gjithë atyre që do të eksplorojnë këtë verë Shqipërinë që të përdorin aplikacionin TEA.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama theksoi se në aplikacion gjenden jo vetëm eventet kulturore dhe artistike, por edhe çdo shërbim rreth vendpushimit të secilit.
Rama informoi se te “TEA”, ata mund të gjejnë çdo gjë që ju nevojitet, nga hotelet te restorantet, nga bankomatet te farmacitë deri te shërbimet e emergjencës.
“Nga hotelet te restorantet, nga bankomatet te farmacitë deri te shërbimet e emergjencës, me TEA-n do të gjeni çdo gjë që ju nevojitet lehtësisht”, u shpreh Rama.
“TEA” është një risi teknologjike për turizmin shqiptar. U hodh në treg nga Agjencia Kombëtare e Turizmit, një kalendar digjital, i cili ofrohet përmes një aplikacioni miqësor për çdo përdorues brenda Shqipërisë dhe anembanë botës.
Aplikacioni “TEA” është i aksesueshëm falas në të gjithë telefonat. Në aplikacion mund të gjenden aktivitetet që do të ndodhin gjatë sezonit turistik në çdo kohë dhe në çdo vend. Mjafton të vendosësh vendndodhjen dhe aplikacioni do të nxjerrë rezultatet ku veprimtaritë do të jenë të dedikuara për të gjitha grupmoshat.
Ky aplikacion shërbyen edhe për orientimin e turistëve, të cilët përveç bukurive natyrore të mund të shijojnë dhe mësojnë më shumë rreth traditës, si dhe të marrin informacion për vendndodhjet./ata