Gjykimi i Anthony Taylor në takimin Spanjë-Gjermani solli shumë polemika, me “Panzerat” që pretenduan për një 11-metërsh në kohën shtesë pas një prekje të topit me dorë nga Cucurella, por që për anglezin nuk u konsiderua si penallti.
Gjithsesi, për ish-arbitrin e njohur italian, Graziano Cesari, është krejt e kundërta. Në një intervistë të dhënë për “SportMediaset", ai ka dënuar veprimin e Taylor, i cili nuk pranoi të shihte rastin me ndihmën e sistemit VAR.
“Ai episod është një penallti e qartë, nuk ka nevojë as të diskutohet. Cucurella nuk bëri as gjestin më të vogël për të shmangur goditjen dhe krahu i tij i majtë shkëputet nga busti. Taylor absolutisht keq në fushë dhe gjuajtja ishte drejt portës. Pse mbrojtësi nuk ndërhyri drejtpërdrejt me krahun e tij pas shpine, siç duhej të bënte?”, tha si fillim Cesari.
Më pas ai u ndal dhe te VAR, duke thënë: “Episodi Musiala-Cucurella për mua është një gabim shumë i rëndë, por pyes veten pse nuk ndërhyri VAR-i. Duhet ta kishin thirrur Taylor përsëri në VAR për ta bërë të gjykonte me shumë qetësi episodin, sepse kishte shumë dyshime. Atëherë ndoshta nuk do e ndryshonte vendimin ose ndoshta e ndryshonte, por patjetër që duhet ta kishin bërë atë të rivlerësonte gjithçka në video për të ndërhyrë”./TopChannel