Në atmosferën magjike të amfiteatrit të Durrësit, baritoni durrsak me famë botërore Gëzim Myshketa organizoi mbrëmjen e djeshme një koncert recital.
I shoqëruar nga kori, solistët dhe orkestra e TKOB mjeshtri dhuroi emocione për artdashësit durrsakë, por edhe turistët e huaj në koncertin e titulluar “Durrës opera art of singing”.
Në koncert ishin të pranishëm edhe Presidenti Bajram Begaj dhe kryetarja e bashkisë së Durrësit, Ermiana Sako.
Ky koncert lindi si një ëndërr e këngëtarit lirik për t’i dhënë një tjetër peshë qytetit të tij të lindjes në fushën operistike.
Baritoni Myshketa interpretoi për artdashësit durrsakë jo vetëm pjesë operistike nga disa nga ariet më të njohura botërore si ato nga operat “Karmen” apo “Traviata”, por edhe pjesë emblematike si “Për ty atdhe”, pjesë nga kompozitori i famshëm Ennio Morricone, Nino Rota etj.
Myshketa interpretoi edhe një përzgjedhje këngësh shqiptare, duke përfshirë “Të falem i bukri Durrës”, “Për ty Atdhe” dhe “Pragu i vegjëlisë”.
Baritoni Gëzim Myshketa, Mjeshtër i Madh dhe fitues i disa çmimeve prestigjioze është i njohur për debutimet e tij në kryevepra botërore në skenat e teatrove të Italisë, Japonisë, Koresë, SHBA-së, Gjermanisë dhe më gjerë.
I cilësuar nga kritika italiane si një nga talentet më të spikatura të brezit të tij, Myshketa interpretoi së fundmi rolin e Gianni Schicchi-t në operën “Il Trittico”, e cila u vu në skenën e TKOB-së gjatë muajve shkurt dhe mars të këtij viti.
Ky koncert u organizua në bashkëpunim me bashkinë e Durrësit./ata