Dialogu i parë tregtar i nivelit të lartë midis Türkiyes dhe Bashkimit Evropian (BE) do të mbahet nesër në Bruksel, takim i cili do të bashkë-kryesohet nga ministri turk i Tregtisë, Ömer Bolat dhe nënkryetari i Komisionit Evropian, Valdis Dombrovskis.

Mëngjesin e ditës së nesërme, Bolat dhe Dombrovskis do të takohen me përfaqësuesit e BE-së dhe të komunitetit të biznesit turk në një tryezë të rrumbullakët, ndërsa takimet ndërqeveritare do të mbahen pasdite.

Progresi në çështjet e tregtisë dypalëshe dhe fushat e bashkëpunimit, duke përfshirë agjendën e gjelbër dhe digjitale, do të diskutohen brenda kornizës së përcaktuar në takimin e Grupit të Punës për Tregtinë, të mbajtur në tetor të vitit 2023.

Gjithashtu janë planifikuar diskutime për thellimin e bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik Türkiye-BE.

Dialogu tregtar i nivelit të lartë midis Türkiyes dhe BE-së ishte ndër rekomandimet në deklaratën e përbashkët mbi gjendjen aktuale të marrëdhënieve politike, tregtare dhe ekonomike Türkiye-BE në nëntor të vitit 2023. Në atë kohë, takimi i parë nën këtë mekanizëm u vendos të mbahet më 8 korrik 2024.

Ky dialog do të sigurojë një platformë të rëndësishme për adresimin e marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike Türkiye-BE në nivelin më të lartë dhe për vazhdimin e punës pozitive për përditësimin e Unionit Doganor./aa