Investimet e Huaja Direkte në Kosovë vijojnë të jenë një burim mjaft i rëndësishëm i flukseve të kapitalit por edhe i zhvillimit ekonomik të vendit. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, deri në fund të qershorit të këtij viti investimet e Huaja Direkte arritën në rreth 408 milionë euro, në rritje prej 8.53% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Vetëm gjatë muajit qershor investimet direkte u rritën me rreth 67 milionë euro. Në anën tjetër, investimet e Kosovës jashtë vendit arritën nivelin e 105.43 milionë eurove.

Gjithashtu, edhe remitancat, që janë kategoria kryesore në kuadër të ardhurave dytësore të familjeve në Kosovë, deri në qershor të këtij viti, arritën vlerën e rreth 630 milionë eurove, në rritje prej 2.66 milionë euro ose 0.42%, krahasuar me 6-mujorin e vitit 2023. Ndërkohë, sipas të dhënave paraprake të Bankës Qendrore, remitancat për muajin korrik janë rritur ndjeshëm dhe kanë arritur në 119.68 milionë euro. Në këtë mënyrë, për 7-mujorin e këtij viti remitancat parashikohet të kenë arritur vlerën e 749.75 milionë eurove. Prurjet më të mëdha edhe gjatë muajit korrik kanë qenë përmes Institucioneve Financiare Jo-Banka me rreth 50%, përmes bankave tregtare me 18% dhe kanaleve të tjera me rreth 32%.

Po sipas shifrave të Bankës Qendrore të Kosovës, bilanci tregtar i mallrave deri në fund të qershorit shënoi një deficit në vlerën e 2.2 miliardë eurove, apo 8.2% më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në anën tjetër, eksportet për këtë periudhë shënuan vlerën e 448.44 milionë eurove, që përfaqëson një rritje prej 4.83%, ndërsa importet e mallrave shënuan një rritje prej 7.63% duke arritur vlerën e 2.67 miliardë eurove. Në këtë mënyrë, Kosova vijon të ketë një varësi të madhe ndaj importeve, që janë rreth 6-fish më të larta se eksportet./Scan