Që prej korrikut të 2019 Liqeni i Ohrit është përfshirë në listën e UNESCO-s si pasuri e trashëgimisë natyrore dhe kulturore.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, Blendi Gonxhja, ftoi që në këtë përvjetor të reflektohet mbi rëndësinë e ruajtjes dhe mbrojtjes së këtij thesari natyror dhe kulturor.
“Këto përpjekje janë thelbësore për të siguruar që brezat e ardhshëm të mund të shijojnë dhe të mësojnë nga ky vend i magjishëm”, u shpreh ministri Gonxhja.
Liqeni i Ohrit është një ndër liqenet me të vjetra dhe më të thella në botë, dëshmi e vendbanimeve të hershme, me një peisazh katërstinor, varkat valëzonjëse dhe një prej liqeneve me diversitetin më të madh në botë. Ai sjell tashmë miliona vizitorë nga e gjithë bota, duke tërhequr vëmendjen e shumëkujt që viziton Shqipërinë.
Liqeni i Ohrit, i ndarë mes Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut, është përfshirë në listën e UNESCO-s si pasuri e kombinuar e trashëgimisë, natyrore dhe kulturore.
Ky liqen ofron një strehë unike për lloje të shumta endemike dhe relikte të florës dhe faunës së ujërave të ëmbla. Ujërat e tij oligotrofik përmbajnë mbi 200 lloje endemike me nivele të larta endemizmi për speciet bentike në veçanti, duke përfshirë: algat, diatomet, krimbat e sheshtë turbelar, kërmijtë, krustacet dhe 17 lloje endemike peshqish. Në ujërat e cekëta pranë bregut të liqenit, disa site dëshmojnë për praninë e banesave parahistorike mijëravjeçare palafite./ata