Në Galerinë e Ministrisë së Kulturës të Kosovës u hap ekspozita vetjake e artistit Edi Hila.
Ekspozita mban titullin “A4 Print” dhe është kuruar nga Shkëlzen Maliqi.
“A4 Print” përmban skica në letër formati A4 që piktori Edi Hila i ka shfrytëzuar si makete për realizimin e pikturave. “Kjo ekspozitë, nuk është paraqitje publike e zakonshme”, shkruhet në faqen online të galerisë. Veprat që ajo paraqet, janë tashmë piktura të materializuara, të cilat janë parë nëpër galeri e bienale prestigjioze si dhe janë komentuar në libra e katalogë.
Në renditjen ontologjike të ngjizjes së imazheve, letrat e formatit A4 kanë status thuajse primordial në regjistrimin e fenomeneve të paraqiten në to, të realizuara përmes një procesi ku syri, truri, fokuset e kuadrimeve dhe momentet e shkrepjeve të fotoaparatit në dorën e artistit, përbëjnë një zinxhir gjenial të inskenimit kreativ me pamje nga Shqipëria, si një vend me tranzicion tejet të habitshëm.
Në procesin krijues të artistit, si dhe në gjenezën e pikturave ku regjistrohen fragmentet e gjendjeve të një realiteti lëvizës, që tanimë është zhdukur ose po transformohet, këto pamje kanë rëndësinë primordiale. Kështu që, në opusin e autorit, ato bëhen jo vetëm plotësim, por edhe të barazvleshme me pikturat.
Edi Hila është një artist i mirënjohur, i lindur në Shkodër e që jeton dhe punon në Tiranë, ndërsa veprat e tij i ka ekspozuar në galeri të artit në shumë qytete të botës, përshirë këtu në Athinë, Varshavë, Vjenë, Milano e të tjera.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 25 qershor 2024 dhe mund të vizitohet nga e marta në të shtunë./ata