Stafi i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore iu përgjigj pozitivisht fushatës dhe thirrjes së Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, duke treguar solidaritet dhe duke dhënë shembullin e mirë tek qytetarët për të shpëtuar jetë.
Drejtori ekzekutiv i AKBN, Petrit Malaj shprehu mirënjohje ndaj punonjësve të këtij institucioni, të cilët dhuruan gjak vullnetarisht, duke u bërë pjesë e kësaj fushate.
Mijëra jetë shpëtohen prej dhuruesve vullnetarë të gjakut çdo vit. Të aksidentuarit, të sëmurët kronikë, hemofilikë, atyre me dializë, pacientët me talasemi, të cilët duhet të marrin gjak çdo 2 javë për gjatë gjithë jetës të tyre.
Sipas ekspertëve të transfuzionit të gjakut, dhurimi çdo 6 muaj ndikon në zvogëlimin e mundësisë për sëmundje kardiovaskulare deri në 90%.
Çdo dhurues gjaku përfiton kryerjen e disa testimeve falas: Gjak komplet, Transaminazat ALT, Konfirmimin e grupit të gjakut dhe Rh, Testim për Hepatit B, C, HIV, Sifiliz, Glicemia, Kreatinemia, Proteinemia, Kolesterolemia, Trigliceridemia dhe Feritinemia.
Autoritetet shëndetësore theksojnë rëndësinë e dhurimit të gjakut në mënyrë të rregullt për të krijuar një rezervë të vazhdueshme gjaku, në mënyrë që pacientët në nevojë, të mund ta marrin atëherë kur do të kenë nevojë./ata