Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, së bashku me Kryetaren e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako inspektuan punën që po bëhet për rindërtimin e shkollës së mesme sportive “Benardina Qerraxhia”.
Nga ky projekt do të përfitojë 250 nxënës dhe 34 mësues, duke përmirësuar ndjeshëm kushtet e kësaj shkolle. Rindërtimi përfshin 16 klasa moderne, 2 laboratorë të pajisur me teknologji bashkëkohore, një fushë sportive të jashtme, një palestër të brendshme, si dhe dhoma të shërbimeve mjekësore dhe psikologjike. Përveç këtyre, është rindërtuar edhe konvikti i shkollës, duke ofruar kushte më të mira për nxënësit që jetojnë aty.
“Shkolla ‘Benardina Qerraxhia’ mund të jetë një prej shkollave me status kombëtar. Me marrjen e statusit kombëtar si shkollë me orientim sportiv, “Benardina Qerraxhia” do të shërbejë si një qendër për rritjen dhe zhvillimin e talenteve në disiplina të ndryshme sportive”, tha Ministrja Manastirliu.
Ky investim, që po realizohet nga programi EU4Schools, financuar nga BE dhe zbatuar nga UNDP, është pjesë e planit për modernizimin e arsimit dhe sportit në Shqipëri, duke synuar përgatitjen e brezave të rinj për sfidat e shekullit XXI./ata