Në Butrintit u zhvillua dëgjesë publike mbi projektin për Qendrën e Vizitorëve në qytetin antik, ndër më të vizituarit në vend nga turistët vendas e të huaj.

Ky projekt është hartuar nga një studio arkitekture e mirënjohur ndërkombëtarisht, Kengo Kuma & Associates, në bashkëpunim me Trashëgimia Kulturore pa Kufi – Shqipëri (CHWB), me financimin e Fondacionit Shqiptar-Amerikan për Zhvillim (AADF), në partneritet me Fondacionin për Menaxhimin e Butrintit dhe  Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI).

Në këtë dëgjesë publike u prezantuan strategjia e masterplanit të përgjithshëm; strategjia dhe vendparkimi i ri për vizitorët e Parkut të Butrintit; projekti i ndërtesës dhe funksioneve të Qendrës së Vizitorëve/ Porta e Malit; projekti i ndërtesës dhe funksioneve të hyrjes/Porta Arkeologjike.

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit në një postim në rrjetet sociale tha se “pootenciali i plotë i Butrintit ende nuk është zbuluar plotësisht. Me një histori shumëshekullore, Butrinti mund të jetë një motor i fuqishëm për zhvillimin e qëndrueshëm në vend”.

“Miradministrimi dhe kushtet e duhura të pritjes së vizitorëve në rritje, në respekt të nivelit të një qendre të pasurisë botërore në UNESCO, janë prioritet e sfidë e jona”, theksoi MEKI.

MEKI falënderon të gjithë përfaqësuesit, pjesëmarrësit, komunitetin dhe të interesuarit që shprehën komentet dhe mendimet e tyre për këtë projekt të rëndësishëm.

Studioja “Kengo Kuma and Associates” u shpall në prill të 2023 fituese e konkursit ndërkombëtar mes 4 studiove të arkitekturës për hartimin e projektit për Qendrën e Vizitorëve në Parkun Kombëtar të Butrintit.

Qendra e Vizitorëve në Butrint do të ketë të gjithë infrastrukturën e nevojshme në shërbim të vizitorëve,  do të respektojë së pari vlerat e jashtëzakonshme universale jo vetëm të zemrës arkeologjike, por të të gjithë Parkut Kombëtar./ata