Inspektori i Përgjithshëm i Bundeswehr-it, Carsten Breuer, oficeri i rangut më të lartë në ushtrinë gjermane, preferon një model shërbimi të detyrueshëm si për burrat ashtu edhe për gratë kur rifut shërbimin ushtarak. “Aktualisht shërbimi ushtarak është i ngrirë dhe sipas Kushtetutës i referohet popullatës mashkullore. Duhet të vendoset barazia atje, por para kësaj është i nevojshëm një diskutim i mirëfilltë politik dhe social”, tha Breuer. Ai gjithashtu theksoi se Gjermania “duhet të jetë e aftë për luftë”, shkruan Deutsche Welle.

Ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius, një socialdemokrat, paraqiti planet për një model të ri shërbimi ushtarak në qershor. Ai konsiston në një trajnim bazë gjashtëmujor me opsionin e vullnetarizmit, d.m.th. duke shërbyer 17 muaj shtesë sipas kontratës. Para kësaj, të gjithë të rinjtë e moshës ushtarake duhet të përfshihen përgjithësisht dhe të pyeten për aftësinë dhe vullnetin e tyre për të shërbyer në ushtri. Vajzat gjithashtu mund të shërbenin në ushtri.

Breuer mbështeti modelin e Pistorius: “Ushtarakisht, ne kemi nevojë për aftësinë për të rritur numrin e trupave dhe në aspektin e planeve të NATO-s,” tha ai, duke shtuar se Gjermania është “qendër kryesore e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut”.

“Në total na duhen mbi 400.000 ushtarë me kontrata të përkohshme ose të përhershme, si dhe rezervistë. Për të mbuluar këto nevoja, na duhen edhe 100.000 rezervistë të tjerë,” tha inspektori i përgjithshëm. Ai shpjegoi se modeli i ri fillimisht mund ta “mbulonte” këtë, por shtoi: “Pa komponentin e shërbimit të detyrueshëm, nuk do të funksionojë”. /tesheshi.com/