Gur Ademi, nxënës i shkollës “Elena Gjika” i ka shkruar letër Rexhep Selimit me rastin e Pavarësisë së Kosovës.

 

Ish-deputeti i LVV-së, në shenjë falënderimi i ka bërë një pikturë me emblemën e UÇK-së dhe përmes gruas së tij Shqipes ia ka dërguar Gurit, bën të ditur T7 në një raportim të veçantë.  Më 17 shkurt, ditën kur Kosova e feston Pavarësinë, Gur Bekaj shkroi një letër për komandantët e UÇK që ndodhen në Hagë.

 

Në letrën e tij ndër të tjera Guri 7-vjeçar shkruante:

 

I dashur ushtar!

 

Unë jam Gur Bekaj, nxënës në shkollën “Elena Gjika” në Prishtinë. Kam vendos me ju falenderu që në kohën me të vështirë për Kosovën ju keni luftu dhe na keni mbrojt.

 

Unë e di që gjatë luftës janë vra shumë gjyshër, fëmijë e mësues.

 

Kjo është e tmerrshme por fal jush ne sot jetojmë të lumtur në Kosovë.

 

Prandaj për nder të Pavarësisë ju dëshiroj shumë suksese dhe ju falënderoj në emër të fëmijëve të Prishtinës!

 

Kjo letër e nisur nga Prishtina kishte mbërritur në qendrën e paraburgimit në Hagë dhe duket se përmbajtja e kësaj letre e kishte emocionuar shumë Rexhep Selimin.

 

Rexha që brenda burgut, zhvilloi talentin edhe në pikturë, i dërgoi Gurit një dhuratë të cilën në shkollë ia solli, bashkëshortja e tij, po kështu ish-luftëtare e UÇK, Shqipe Selimi bashkë me vajzën e saj.

 

Dhurata e ardhur nga Haga, me një mbishkrim për Gurin ka qenë befasi për të gjithë.

 

Emblema e UÇK-së e pikturuar nga Rexhep Selimi do të jete kujtimi më të bukur për 7-vjeçarin në një moment tjetër të vështirë për ata qe sakrifikuan për lirinë e Kosovës. Emblema e UÇK është krenari për çdo ushtar që e mbajti atë e ndoshta porosia indirekte e Rexhës ka qenë që këtë krenari ta trashëgojnë brez pas brezi.