Një ndër justifikimet e atyre që konsumojnë alkoolin, deri me sofizma bajate, është se pak nuk të bën dëm. Madje se këtë e thotë dhe doktori(cili doktor?!).
Në fakt, sado pak, në finale bën dëm.
Së fundi, sipas Dr. Tim Stockwell nga Instituti Kanadez për Kërkimin mbi Përdorimin e Substancave, konsumimi qoftë dhe i vetëm i një pijeje alkoolike në ditë – një litër birrë, një gotë verë apo diçka e ngjashme me një pije tjetër – mund të shkurtojë jetëgjatësinë tuaj me rreth dy muaj e gjysmë.
Stockwell paralajmëroi se ata që konsumojnë dukshëm më shumë alkool mund të shkurtojnë jetëgjatësinë e tyre deri në dy vjet.
Ky është një paralajmërim serioz për këdo që dëshiron të shplodhet me një gotë pas një dite të ngarkuar.
“Alkooli është droga jonë e preferuar rekreative. Ne e përdorim atë për kënaqësi dhe relaksim, por për fat të keq, shkenca tregon se mund të ketë pasoja të dëmshme,” tha Stockwell.
Hulumtimet kanë treguar se konsumimi i alkoolit mund të rrisë rrezikun e një sërë gjendjesh shëndetësore, duke përfshirë kancerin, sëmundjet e zemrës, presionin e lartë të gjakut, goditjet në tru dhe sëmundjet e mëlçisë, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
Sipas CDC, më shumë se 20,000 njerëz vdesin çdo vit nga kanceret e lidhura me alkoolin në SHBA, ku pirja “e moderuar” përcaktohet si një pije në ditë për gratë dhe dy për burrat.
Hulumtimi i Stockwell konfirmoi një lidhje midis konsumit të alkoolit dhe rritjes së vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet, duke kundërshtuar besimin se pak alkool mund të jetë i dobishëm për shëndetin.
“Ndërsa besohet se konsumimi i moderuar i verës së kuqe mund të jetë i mirë për zemrën, kjo nuk është domosdoshmërisht e vërtetë. Të jesh në gjendje të pish është një shenjë se jeni ende i shëndetshëm, por jo një garanci për një shëndet të mirë,” paralajmëroi Stockwell.
Ka shumë keqinterpretime të studimeve që sugjerojnë se alkooli është i dobishëm për shëndetin, por kërkimet shkencore nuk e mbështesin këtë.
Në fund, ajo që i vë vulën është se gjersa Zoti e ka ndaluar rreptësisht, qoftë dhe një gllënkë, nuk është aspak e mundur që njeriu t’ja legjitimojë vetes. Në thelb, alkooli nuk përbën nevojë apo domosdoshmëri jetësore, pra pa të cilin nuk jetohet dot. Punë qejfi është, por me pasoja të rënda. Siç duhani apo drogërat. /tesheshi.com/