Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu zhvilloi një bashkëbisedim me drejtoren e Universitetit të Teknologjisë së Compiegne (UTC) të Francës, Claire Rossi dhe stafin e saj.

Ky takim do t’i hapë rrugë një projekti ambicioz, siç është hapja e Kampusit të këtij universiteti prestigjioz pranë Universitetit Politeknik të Tiranës.

Manastirliu tha se “pas bashkëpunimit të suksesshëm disavjeçar mes UTC dhe UPT të programit “Master i përbashkët në shkenca kompjuterike dhe elektronike”, projekti i ri për hapjen e programeve “Bachelor” të UTC në Tiranë, do të zgjerojë ofertën akademike universitare për të rinjtë tanë në fushën e inxhinierisë kompjuterike, elektronikës dhe magatronikës, do të nxisë zhvillimin në fushën e kërkimit shkencor dhe inovacionit dhe teknologjisë si edhe do të rrisë interesin e studentëve të huaj për të studiuar në vendin tonë”.

“UTC është një prej Universiteteve më të njohura, i shquar për ekselencën akademike të kërkimit dhe inovacionit në fushën e inxhinierisë kompjuterike dhe teknologjisë”, tha Manastirliu./ata