Gjendet mekanizmi mbi 120 vjeçar i orës së vjetër të qytetit të Shkodrës. Ajo është gjetur në kullën e vogël ngritur enkas mbi pallatin 6 katësh në qendër të qytetit, ku ndodhet dhe sahati i Shkodrës.
Mekanizmi ishte ruajtur nga familja shkodrane, Kurraj për 33 vjet pas rrëzimit të komunizmit. Para ardhjes së demokracisë Sahati i Shkodrës i vendosur mbi pallatin 6 katësh jo vetëm funksiononte por ishte kthyer dhe në pikë referimi për shkodranët. Por prej vitesh nuk funksiononte dhe qytetarët kishin keqardhje 'Alamet Shkodre mos me pas një sahat!' thotë Suzana Kurraj.
Petrit Bilali, restaurator thotë se ka qenë kryetari I bashkisë, Benet Beci që ka kërkuar të restaurohej mekanizmi.
"Është një ndër objektet e ralla në Shqipëri. Shumë nga këto mekanizma janë zhdukur e mendohet se është një ndër më të vjetrit. Duhet të jetë një nga mekanizmat e orëve që kanë qenë në Shkodër, si sahat kulla e kalasë, sahati I qarkut apo një nga kampanjeleve të Shkodrës" thotë Bilali.
Përmes një postimi në facebook kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci tregon habinë kur e mësoi.
"Kurrë s'e mendova se do ta gjenim mekanizmin e vjetër të sahatit aty në kullën e vogël ngritur enkas mbi pallat, kur i kërkova një punonjësi të bashkisë të shkonte ta verifikonte. Mekanizmi mbi 120 vjeçar i sahatit ishte akoma aty, falë familjes Kurraj dhe zonjës Suzana që e kishin ruajtur në vite. M'u duk se zbuluam një thesar të qytetit, ndaj dua të shpreh edhe publikisht mirënjohjen time dhe në emër të Bashkisë Shkodër për qytetarinë e treguar nga kjo familje gjatë gjithë këtyre viteve'
Falë orëndreqësit Besnik Sahatçia, mirëmbajtësit Ermir Dibra dhe restauratorit Petrit Bilali u mësua historiku i këtij sahati dhe vlerat që ai mbart, por edhe të realizohej pastrimi e mirëmbajtjen e mekanizmit të tij.
"Qyteti i Shkodrës ka pasur shumë nga këto orë muri. Shumë më pyesin a po bëhet gjë për të rregulluar orën e murit. Do duhet pak kohë por rëndësi ka që të punojë me saktësi siç ka punuar më përpara. Në bashkëpunim me bashkinë them se do të dalë e bukur’ tregon orëndreqësi Besnik Sahatçia
Mekanizmi do të bëhet pjesë e fondit të Muzeut të qytetit, shkruan kryebashkiaku duke shtuar se po punohet për rindërtimin e plotë të Sahatit të Shkodrës për ta bërë funksional në të njëjtin vend.