Një person 24-vjeçar nga Uganda është dënuar me 6 vjet burgim pasi është shpallur fajtor për përdorimin e llogarisë së tij në TikTok për të përhapur gjuhë të urrejtjes dhe informacione keqdashëse kundër presidentit Yoweri Museveni, zonjës së parë Janet Museveni dhe djalit të tyre.
Gjykata në Entebbe dha dënimin të mërkurën pas arrestimit të Edward Awebwas, i cili ka përdorur llogarinë e tij nën emrin "Save Media Uganda" për të ndarë një videoklip në të cilin ai ka bërë fyerje kundër familjes presidenciale.
Sipas Policisë Metropolitane në Kampala, midis shkurtit dhe marsit 2024, Awebwa përdori TikTokun për të ndarë informacione që tallnin presidentin. Burgimi i tij vjen në vazhdën e një fushate nga agjencitë e sigurisë që synojnë individë që përdorin mediat sociale për të fyer zyrtarët e lartë të qeverisë.
Awebwa i bashkohet listës së krijuesve të përmbajtjeve që janë burgosur për përhapje të "informacionit keqdashës" dhe "gjuhës së urrejtjes" sipas Aktit të Keqpërdorimit të Kompjuterit të vitit 2022, i cili kriminalizonte disa aktivitete në internet pavarësisht shqetësimeve se ligji mund të kufizonte lirinë e shprehjes në internet.
Aktivistët e të drejtave të njeriut e kishin kundërshtuar ligjin në Gjykatën Kushtetuese, me argumentin se ai ishte represiv.
Ligji për keqpërdorimin e kompjuterit e përkufizon komunikimin fyes si "përdorim i vullnetshëm dhe i përsëritur i komunikimit elektronik për të prishur ose tentuar për të prishur paqen, qetësinë ose të drejtën e privatësisë së çdo personi pa asnjë qëllim komunikimi legjitim pavarësisht nëse pason apo jo një bisedë".
Kjo vepër dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit ose me të dyja./aa