Egnatia debutoi në Ligën e Kampioneve të mërkurën në një ndeshje të pazakontë kundër boshnjakëve të Borac Banja Lukës, duke humbur 1-0 me një gol të shënuar në minutën e 96-të.


Atmosfera në stadiumin “Gradski” ishte me gjuhën e urrejtjes nga tifozëria boshnjake, që bëri thirrje të vazhdueshme në kor: “Kosova është Serbi”. Mes tensionit, dhunës psikologjike dhe thirrjeve të vazhdueshme nacionaliste të rreth 7 mijë tifozëve vendës, rrogozhinasit kërkuan nga arbitri polak, Daniel Stefanski, që të ndalte ndeshje. Një nga protagonistët e mbrëmjes së 10 korrikut për Egnatian u bë drejtori sportiv i klubit, Klejdi Zenelaj. Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, ai tregoi gjithçka çfarë ndodhi në 11 minutat e ndërprerjes, ku ai diskutoi me arbitrin dhe delegatin e UEFA-s.

“Ndeshja me Borac Banja Luka nuk ishte një sfidë normale dhe për këtë mjafton të përmendësh faktin se ne na kushtëzuan të mos kishim tifozë në këtë transfertë. Referuar ngjarjeve dhe kushteve në të cilën ndodheshim, ishim të detyruar të respektonim udhëzimin e zyrtarëve. Përpara ndeshjes, delegati i UEFA-s bëri mbledhje mbi organizimin. Mora fjalën si zyrtar i klubit dhe i paralajmërova mbi kujdesin që duhet të kenë mbi mesazhet e tifozëve apo flamujt nacionalistë”, ka thënë Zenelaj./Panorama