Ish-sulmuesi i Anglisë, Gary Lineker thotë se skuadra e Gareth Southgate është në “prag të historisë” pasi arriti në finalen e Euro2024, sipas BBC.

Tre Luanët mundën Holandën 2-1 në Dortmund të mërkurën për të siguruar një vend në finalen e së dielës kundër Spanjës.

Është hera e parë që skuadra ka arritur në një finale jashtë Anglisë pasi luajti finalen e Kupës së Botës 1966 dhe finalen e Euro 2021 në ”Wembley”.

Anglia nuk e ka fituar kurrë Kampionatin Evropian, ndërsa Spanja është tre herë kampione.

“Unë mendoj se është jashtëzakonisht domethënëse për futbollin anglez”, tha Lineker, i cili do të prezantojë finalen për BBC One.

”Ata ishin në një finale, ata ishin në finalen e fundit të Euros, sigurisht, dhe kjo ishte në ‘Wembley’ dhe kjo përfundoi në një zhgënjim të madh. Kjo do të jetë e vështirë, por ata janë në prag të historisë. Asnjë ekip anglez në futboll nuk ka fituar ndonjëherë një turne të madh jashtë vendit”, tha ai.

”Ata kanë atë lloj qëndrimi, që është diçka shumë e rëndësishme”, tha Lineker.

“Edhe kur ata nuk po luanin mirë, ata po jepnin rezultat. Dhe është një klishe e vjetër futbolli që nëse mund të fitosh kur luan keq, atëherë gjërat nuk janë aq keq”, theksoi ai.

”Nuk mendoj se jam i befasuar me mënyrën se si e kemi bërë këtë, sepse ne kemi individë, futbollistë të klasit botëror”, vazhdoi Lineker.

“Po, ata filluan ngadalë dhe diçka nuk ishte në rregull, por ata ia dolën dhe ata gradualisht janë përmirësuar me përparimin e turneut. Është shumë më mirë kështu”, shtoi ai./ata