Për herë të parë Kosova do të përfaqësohet në Paris edhe në Lojëra Paraolimpike.

Kosova do të përfaqësohet nga atleti Grevist Bytyçi dhe sipas Presidentes së Komitetit Paraolimpik të Kosovës, Njomza Emini është një arritje dhe moment historik për Kosovën.

“Sot ndodhemi para një momenti historik që ka realizuar ëndrrën tonë të kahmotshme. Për herë të parë në historinë e sportit tonë, Kosova do të përfaqësohet në Lojërat Paraolimpike ‘Parisi 2024’. Ky është një moment që nuk shënon vetëm një arritje për sportistët tanë, por edhe për të gjithë ne si komb. Rrugëtimi deri këtu ka qenë plot sfida, por fal partnerëve kjo po bëhet e mundur, një ëndërr që po realizohet…Është moment triumfi sepse e kemi vendimin zyrtar që Grevist Bytyçi do të jetë në hapjen Lojërave Paraolimpike Botërore në Paris 2024”, theksoi Emini.

Moment krenarie kombëtare këtë arritje e quajti edhe zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Emilija Rexhepi, derisa u zotua se qeveria do t’i mbështesë sportistët me infrastrukturë dhe mjete financiare.

Ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guérot, me këtë rast deklaroi se lojërat në Paris janë një mundësi ideale për shkëmbim të përvojave ndërmjet Kosovës dhe Francës.

Kurse ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç u shpreh i bindur se Kosova do të ketë një përvojë të suksesshme në Paris. /KosovaPress/