Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Karl Bergner nënshkruan marrëveshjen për projektin “ALBadapt”.

Ky projekt synon të forcojë menaxhimin e rreziqeve klimatike në Shqipëri dhe të mbrojë më mirë popullsinë ndaj tyre.

Ambasada gjermane thekson se, Shqipëria është një nga vendet më të prekura nga rreziqet klimatike në Evropë.

Ngjarjet ekstreme të motit si reshjet e dëndura, përmbytjet, temperaturat ekstreme, thatësirat dhe zjarret në pyje po shtohen. Çdo vit, rreth 50,000 shqiptarë preken nga përmbytjet!

Për t’u përballur me këto kërcënime, Shqipërisë i duhen sisteme të përmirësuara të informacionit për klimën dhe motin. Për fat të keq, deri më tani është i vetmi vend në Evropë pa një shërbim hidrometeorologjik të besueshëm.

ALBadapt synon fuqizimin e Shërbimit Meteorologjik. Përmirësimin e Shërbimit Kombëtar të Meteorologjisë për parashikime dhe paralajmërime të sakta.

ALBadapt synon edhe sistemin e Paralajmërimit të Hershëm me ngritjen e një sistemi më të mirë të paralajmërimit të hershëm për të përgatitur njerëzit dhe institucionet për fatkeqësitë natyrore.

Sa i përket masave të përshtatjes, synohet mbështetja e bashkive në investime për zgjidhje të qëndrueshme dhe rezistente ndaj klimës.

Falë mbështetjes së Gjermanisë, Zvicrës dhe Green Climate Fund (GCF), do të vihen së shpejti në dispozicion mbi 36 milionë euro për të përgatitur Shqipërinë për ndryshimet klimatike.

Ky projekt është pjesë e Partneritetit Rajonal për Klimën, një nismë e Kancelarit Scholz për të forcuar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes së klimës në rajon./ata