Kosova mbetet i vetmi vend në rajon që nuk aplikon tarifa për shfrytëzuesit e autostradave. Mirëmbajtja e këtyre rrugëve bëhet për çdo vit me buxhet të shtetit, megjithatë drejtuesit e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës planifikojnë që shumë shpejtë shfrytëzimi i autostradave të bëhet me pagesë. Ndonëse, ministri i MMPHI, Liburn Aliu pretendon të bëhet një sistem më i modernizuar për pagesat siç është në vendet e Bashkimit Evropian.

Ekspertë të ekonomisë dhe komunikacionit vlerësojnë se e njëjta të bëhet me pagesë, mirëpo të bëhet përshkallëzimi i çmimit për qytetarët e vendit dhe të rajonit. Derisa të gatshëm të paguajnë janë edhe qytetarët. Sipas tyre, kjo kontribuon në të mirën e shtetit.

Ministri Aliu derisa ka thënë se janë duke punuar në këtë drejtim, ka shtuar se njëkohësisht do të ketë edhe kontrolle të pagesave të tarifave.

 

Ndërsa theksoi se kjo po ashtu do të ndihmojë në zvogëlimin e aksidenteve dhe kontrollin e shpejtësisë, si dhe në menaxhimin e pagesave të tarifave për rrugë.

Eksperti i komunikacionit, Bekim Ahmeti mbështet idenë e pagesës për rrugët nacionale, por shpreh shqetësimin për kostot që mund të jenë të larta për qytetarët, duke sugjeruar që tarifa të jetë më e ulët, rreth 1-2 euro. Ai thekson se pagesat e larta mund të ndikojnë negativisht në turizmin dhe apelon për një analizë të hollësishme të të ardhurave të qytetarëve dhe pagës mesatare.

Ndërsa, thotë se kjo pagesë nuk hyn në kuadër të 40 euroshit që paguajnë qytetarët derisa regjistrojnë veturën.

 

Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna vlerëson se pagesa për rrugët do të çojë në mirëmbajtje më të mirë dhe kursim të buxhetit të shtetit.

Profesori universitar, Muhamet Sadiku thekson se mirëmbajtja e rrugëve moderne dhe autostradave është e kushtueshme dhe pagesa për shfrytëzimin e tyre është e domosdoshme.

Edhe qytetarët mendojnë se shfrytëzimi i rrugëve duhet të bëhet me pagesë. Musli Musliu thotë se qytetarët e Kosovës duhet të paguajnë në bazë të standardeve që kanë.


Fitim Nebihi thotë se nga Gjermania deri në Kosovë, paguan për rugët por vetëm në vendin tonë  nuk i kërkohet.

 

Ndërkaq, qytetarët që shfrytëzojnë autostradën për Shqipëri duhet të paguajnë pesë euro, për dallim nga Maqedonia, në të cilën shtetasit e huaj duhet të paguajnë duke filluar nga një euro, ndërkaq qytetarët e këtij shteti paguajnë duke filluar nga 0.65 cent. Rrugët me pagesë janë edhe në Serbi, Mal të Zi, Bosnje e Hercegovinë, Kroaci, si dhe vende tjera të Evropës./KosovaPress