Kryeministri Edi Rama nënvizoi sot sfidën për t’i vënë pyjet në zemër të zhvillimit të qëndrueshëm.

 

Në 100-vjetorin e Shërbimit Pyjor Shqiptar, Rama u shpreh se, “kemi bërë shumë për mbrojtjen e kësaj pasurie të çmuar kombëtare”.

 

“100-vjet Shërbimi Pyjor Shqiptar, me bindjen se shumë kemi bërë për mbrojtjen e kësaj pasurie të çmuar kombëtare, që nga ligji i dedikuar për menaxhimin e tyre, e deri tek moratoriumi, por ku edhe më të madhe e kemi sfidën për t’i vënë pyjet në zemër të zhvillimit të qëndrueshëm”, shkruan Rama.

 

27 Janari 1923 është dita e dekretimit të ligjit të parë shqiptar “Për pylltarinë shqiptare” dhe sot përkujtohet si Dita e Shërbimit Pyjor Shqiptar.

 

Mbrojtja e pyjeve, sipas këtij ligji, ishte mbrojtja e pronës të të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga lloji i pronësisë private, komunale apo shtetërore. Parimet e këtij ligji bazoheshin në parimet e zhvillimit të qëndrueshëm, duke kërkuar zbatimin rigoroz të parimeve të qëndrueshmërisë për ruajtjen e ekuilibrave natyrorë.