Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka marrë pjesë në një takim me infermierët e rinj të punësuar në dy muajt e parë të këtij viti nga Portali “Infermierë për Shqipërinë”.

 

“Tashmë prej 2018-ës ne e kemi siguruar dhe fakti që jemi sot këtu tregon që ne kemi vullnetin dhe vendosmërinë për të fuqizuar sistemet e rekrutimit mbi bazë të meritës dhe transparencës dhe ju jeni dëshmi e këtij realiteti. Jeni 324 infermierë e teknikë të shkencave mjekësore, që jeni punësuar në vetëm dy muaj e pak në sistemin shëndetësor publik”, bëri me dije ministrja Manastirliu.

 

Në takimin me infermierët e rinj, ministrja Manastirliu tha se pas rritjes me 50 mijë lekë për mjekët specialistë, rritja e pagave të targetuara do të vijojë.

 

“Ne nga pikënisja rritëm me 63% pagat për gjithë personelin tonë shëndetësor edhe këtë vit do të ketë rritje page me 7% për personelin infermierior dhe për mjekët e familjes. Lajmi i madh që u dha në Kongresin e Shëndetësisë ishte se për mjekë specialistë do të kemi një rritje page të targetuar këtë vit, por duke filluar nga viti tjetër e në vazhdim ne do të vijojmë që të kemi rritje të targetuara edhe për kategoritë e tjera në shëndetësi”, theksoi Manastirliu.

 

Duke folur për lëvizje e profesionistëve të Shëndetësisë ministrja Manastirliu tha se “po adresojmë sfidën e mobilitetit të lëvizjes së profesionistëve, që është një sfidë e cila nuk ka prekur vetëm Shqipërinë, por ka prekur rajonin dhe Europën. Përmirësimi i kushteve të punës, investimet në vazhdim dhe incetivimi nëpërmjet rritjes së pagave janë tre kolonat kyçe që ne jemi duke adresuar këto sfida që po përballet jo vetëm Shqipëria”.

 

Portali “Infermierë për Shqipërinë” tashmë është kthyer në një instrument i cili promovon punësimin në bazë meritokracie dhe transparence duke i mundësuar sistemit shëndetësor të rekrutojë më të mirët.

 

Mbi 5 mijë infermierë janë punësuar me portal nga janari 2018 që kur nisi aplikimin ky instrument. Vetëm gjatë procesit të fundit kanë aplikuar 2,030 teknikë të shkencave mjekësore. Për periudhën janar-shkurt 2023 janë punësuar 324 teknikë të shkencave mjekësore në strukturat shëndetësore publike.