Instituti i Sigurimeve Shoqërore bëri të ditur se me rritjen e pagës minimale nga data 1 prill, do të rritet edhe kuota e sigurimit vullnetar.
“Të gjithë qytetarët, të cilët kanë periudha të pasiguruara në historikun e tyre të kontributeve ftohen t’i paguajnë, pasi me fillimin e muajit të ardhshëm kuota e sigurimit vullnetar do të rritet. Duke paguar këto kontribute ju do të keni mundësi që të shtoni vitet e punës dhe të merrni një pension sa më të lartë”, bëri të ditur ISSH.
Skema e sigurimit vullnetar, është një mundësi më shumë për të përfituar pension, për të gjithë shtetasit shqiptarë, kudo që ndodhen, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë dhe jashtë saj.
Në këtë skemë përfshihen të gjithë shtetasit shqiptarë; që kanë mbushur moshën 18 vjeç, mund të jenë studentë me kohë të plotë, dhe akoma nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sigurimit të detyruar; janë të siguruar në skemën e sigurimit të detyrueshëm dhe kërkojnë që nëpërmjet sigurimit vullnetar të rrisin të ardhurat e tyre; nuk janë pjesëmarrës në skemën e të vetëpunësuarve në bujqësi; kur personi i interesuar ka lënë shtetësinë shqiptare, mund të bëjë sigurim vullnetar vetëm për periudhën nga 01.01.1994 deri në datën që ka lënë shtetësinë shqiptare.
Ligji parashikon që masa e kontributit që duhet të paguhet për sigurimin vullnetar nga personi i interesuar, është e barabartë me masën që paguhet për degën e pensioneve, sipas pagës minimale të miratuar nga VKM në periudhën kur bëhet pagesa.
Kuota mujore e sigurimit vullnetar aktualisht është 7,344 lekë, që i korrespondon pagës minimale mujore: 34,000 lekë x 21.6%.
Për pagesat paradhënie, aplikohen zbritje në varësi të kohës kur kryhet pagesa. Kështu, nëse do të parapaguani për vitin në vijim në fillim të periudhave, do të ketë zbritje: 6% mbi shumën për një pagesë vjetore (me kusht që pagesat të realizohen brenda muajit janar); 3% mbi shumën për një pagesë 6-mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 6-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar); 1,5% mbi shumën për një pagesë 3 mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 3-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar).
Masa e kontributit për sigurim vullnetar për mbulimin e periudhave të kaluara përcaktohet nga koha kur bëhet pagesa (aplikohet masa që është në fuqi në momentin e kryerjes së pagesës, e cila miratohet me VKM, për degën e pensioneve dhe që për llogaritjen e përfitimeve do t’i korrespondojë pagës minimale të vitit që po mbulohet me sigurim vullnetar). Pagesa për të mbuluar periudha të kaluara, bëhet vetëm në kuotën minimale, e cila është 7,344 lekë në muaj. Në këto pagesa nuk aplikohen zbritje.
Sigurim vullnetar për më shumë të ardhura mund të paguajnë të gjithë personat ekonomikisht aktivë të vetëpunësuar, të punësuar dhe punëdhënësit, të cilët duhet të jenë të siguruar si të tillë në skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Ky sigurim bëhet vetëm për vitin korrent, në kufijtë e pagave minimale 34,000 lekë deri në 4-fishin e saj (qytetari ka të drejtë të zgjedhë një pagë brenda këtij kufiri).
Personat e vetëpunësuar sigurohen me pagë minimale mujore 34,000 lekë. Mbi këtë pagë çdo person ka të drejtë të sigurohet vullnetarisht deri në 4-fishin e saj.