Në ambientet e amfiteatrit të Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, Kolegji i Mbrojtjes dhe i Sigurisë, në Shqipëri ka organizuar sot ceremoninë e diplomimit të kursantëve të Kursit të Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm dhe Kursit të Lartë të Oficerit.

Programet e kurseve ofrojnë dhënien e njohurive të nevojshme për planifikimin dhe drejtimin e operacioneve luftarake në një mjedis operacional kompleks që lidhet me sigurinë kombëtare, aftësimin për të marrë vendime të drejta dhe për të dhënë këshilla të sakta në rastet kur shqyrtohet përdorimi i forcës ushtarake.

Në këtë ceremoni në Kursin e Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm (KKShP) kanë diplomuar katër oficerë nga FSK-ja si dhe në Kursin e Lartë të Oficerit (KLO) dy oficerë.

Forcat e Armatosura të Shqipërisë, në kuadër të bashkëpunimit me Forcën e Sigurisë së Kosovës, po ndihmojnë në ngritjen e kapaciteteve profesionale në të gjitha nivelet e edukimit ushtarak, thuhet në postimin e FSK-së në Facebook./TRT