Jemi në stinën e verës ndërkohë që qetësinë e sheshit kryesor të qytetit të Kukësit, i zhuritur nga vapa e madhe e trazoi një grup prej rreth 200 alpinistësh nga Gjilani i Kosovës. Vijnë për herë të parë me qëllim përshkimin në këmbë të “Shtegut të Ngjyrave”, pjesë e kurorës së Bjeshkëve të Kukësit, 28 km larg nga qendra e qytetit.
Janë njohur nga rrjetet sociale për pamjet mahnitëse që të ofron natyra në “Shtegun e Ngjyrave”.
Para nisjes, alpinistët konsumuan edhe një kafe në një nga lokalet e qytetit.
Udhëtimi ynë nisi nga qendra e Kukësit. Dritan Tafazaj alpinist shoqërues i grupit dhe Report Tv tregon itinerarin drejt “Shtegut të Ngjyrave”.
Përshkojmë rrugën gjarpërore të “Grykës së Vanave” që ofron një pamje befasuese plot me ujëvara e kanionë të vegjël. I thellë dhe i ngushtë, i zënë në fund nga shtrati i lumit Luma, ai ndan shpatet e thikta të Gjallicës dhe Koritnikut.
Të shumtë janë turistët që ndalojnë tek “Ura e të Dashuruarve”. Tundimit për foto e pak freski nuk i shpëtuan as grupi alpinist.
Për 40 minuta mbërrijmë në fshatin Novosej, në portën hyrëse të Shtegut të Ngjyrave ku mblidhen aventurierët e natyrës dhe të hiking. Në anë të saj shtrihen brigjet e lumit të Reçicës dhe livadhet e Novosejt me lule shumëngjyrëshe. Nga këtu, eksploruesit e natyrës vazhdojnë ngjitjen përreth 7 orë në këmbë drejt Shtegut të Ngjyrave, i cili kalon nëpër Parkun Natyror Korab-Koritnik.
Ndalesa e parë është Liqeni i Kallabakut ose i Novosejt. Është një liqen artificial, me gjatësi 400 metra dhe gjerësi 200 metra dhe është i rrethuar nga tre krahët e tij nga pyll, kryesisht me pisha. Për 5 muaj në dimër e ka sipërfaqen ujore të ngrirë. Liqeni është peshkëzuar artificialisht në fundin e viteve '80 për dy - tre vite rresht me peshk te familjes së krapit në polikulturë.
Pastaj çdo gjë mori fund. Liqeni u absorbua nga natyra duke u bërë një dhe i pandarë nga pylli përreth tij. Sot është zemra pulsante e parkut kombëtar Korab – Koritnik dhe vendi i freskimit dhe më i vizitueshmi për të pasionuarit pas ngjitjeve dhe turizmit malor dhe atyre që pëlqejnë të notojnë në ujërat e ëmbla.
Pas një pushimi 30 minuta dhe freskimit në liqen vijojmë ngjitjen drejt majës më të lartë e më të vështirë të “Shtegut të Ngjyrave”: Maja e Kallabakut.
Në majën e Kallabakut do të magjepseni nga panorama që do t’ju shohin sytë dhe nuancat e pabesueshme të lëndinave. Mali i Kallabakut 2174 mbi nivelin e detit shtrihet mbi zonën e Shishtavecit dhe është pjesë e Parkut Natyror Korab-Koritnik. Në majën e Kallabakut, takohet kufiri i tre shteteve, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Banorët e të tre shteteve që jetojnë në këtë zonë janë të gjithë shqiptarë. Nga maja e Kallabakut mund të shihen Malet e Sharrit që shtrihen që nga Kosova deri në Maqedoni, Gjallicën, Koritnikun, Korabin, pjesë të Alpeve Shqiptare, si dhe lëndinat alpine më të mëdha te Evropës juglindore, pjesë e Shtegut të Ngjyrave. Kjo pamje të shoqëron deri 300-400 metra distancë pa u ngjitur në majë.
Pjesa e majës së Kallabakut është një shkëmb i madh gëlqeror që rrethohet nga shkëmbinj të vegjël si vepra arti e lëndina alpine nga të gjitha anët e tij. Më të guximshmit ngjiten deri në pikën fundore ku duket Guri i Mëngjesit”, 1940 metra mbi nivelin e detit, mrekulli e natyrës, e cila nuk është e vetme në këto anë. Aty takuam Fitoren dhe Manjolën të cilat kishin ardhur në këmbë dhe tregojnë atë që përjetuan.
Ndërsa pak më poshtë Merita me nënën e saj kishin ardhur nga Tirana për të vizituar vendlindjen.
Pasi arrijmë në Majën e Kallabakut si në pëllëmbë të dorës duket “Shtegu i Ngjyrave”.
Maja e malit të Korabit, më i larti në Shqipëri, ka një bukuri të rrallë. Përveç tij, ka edhe kreshta të tjera vargmali, me formacione gëlqerore dhe gipsi, mbuluar me bimë barishtore dhe kullota alpine, me lloje të ndryshme lulesh plot aromë gjatë pranverës dhe verës.
Shtegu, përgjatë gjithë kësaj pjesë të ngjitjes, kalon nëpër një terren lehtësisht të kalueshëm, nëpër lëndina alpine, në të cilat që gjatë periudhës së pranverës, mund të shikosh një kolorit ngjyrash nga lulet që lulëzojnë në to. Lulja më e veçantë që mund të hasësh gjatë ngjitjes, është Zambaku Shqiptar, një bimë endemike, e cila klasifikohet si bimë e llojit të rrezikuar.
Sezoni i verës është dhe më i bukuri për ta vizituar pasi shumëllojshmëria e luleve të kësaj zone e kthejnë atë në një parajsë të vogël në tokë. Në shteg rriten e kërpudhat të konsumushme nga njeriu.
Shtegu është i kalueshëm pa problem gjatë gjithë gjatësisë së tij dhe konsiderohet shteg i vështirësisë mesatare. Kjo guidë është e përshtatshme për të gjithë ata që kanë përgatitje të mirë fizike apo që gjatë javës kryejnë aktivitete sportive, për shkak të disnivelit dhe distancës që duhet përshkuar.
Tufat e bagëtive që ndodheshin në livadhet plot ngjyra të Çajës, kuajt që kalëronin në këto livadhe, kënaqnin syrin e çdo vizitori. Deltarët Ilirë rojtarët e bjeshkës të shoqërojnë deri në fund të Shtegut të Ngjyrave në fshatin Çajan ku mikpritja e banorëve me një gotë dhallë pas një udhëtimi të gjatë është e papërshkrueshme./Shqiptarja