Temperaturat e larta kanë përfshirë vendin, ndërsa autoritetet në vend kanë apeluar qytetarët për kujdes.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau sot në rrjetet sociale këshillat e mjekëve, ndërsa u kërkoi qytetarëve t’i ndjekin ato në mënyrë që të shmangin efektet shëndetësore negative nga temperaturat e larta.

“Evitoni ekspozimin në diell, sidomos në pikun e temperaturave. Ambienti në të cilin qendroni të jetë i freskët dhe i ajrosur mirë. Vendosni termometra për matjen e temperaturës së ambientit ku shpenzoni më shumë kohë. Pini sa më shumë lëngje, kryesisht ujë. Evitoni pijet shumë të ftohta, ato me gaz, me shumë sheqer dhe aditivë të tjerë”, ishin disa nga këshillat e ndara nga ministrja.

Njëkohësisht këshillohet konsummimi i vakteve ushqimore të shpeshta, në sasi të vogla, të ftohta dhe me përbërës ushqimorë lehtësisht të tretshëm, rekomandohen dushe të shpeshta me ujë të vakët dhe shmangia e aktiviteteve fizike të rënda gjatë orëve më të nxehta.

Autoritetet këshillojnë për kujdes të shtuar për personat më të djeshëm ndaj të nxehtit, si fëmijët, të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike.

“Nëse ndieni shenja të goditjes nga i nxehti (si marramendje, të përziera, djersitje e tepërt, puls të shpejtë), kërkoni ndihmë mjekësore menjëherë”, apelojnë autoritetet shëndetësore./ata