Banka e Shqipërisë ka vendosur të aplikojë për herë të parë një shtesë kundërciklike në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar.

Sipas vendimit të Guvernatorit, Gent Sejko, norma e shtesës kundërciklike të kapitalit (KUNC) për Shqipërinë do të jetë 0.25 pikë përqind, nga zero që parashikohej në vendimin e mëparshëm. Të gjitha bankat tregtare në Shqipëri duhet ta plotësojnë këtë shtesë pas një viti, duke filluar nga data 30 qershor 2025.

 

Aplikimi i një shtese kundërciklike të kapitalit është i parashikuar në rregulloren e vitit 2018 “Për shtesat makroprudenciale të kapitalit. Një shtesë e tillë ka si qëllim ngadalësimin e kreditimit, në rast se banka qendrore vlerëson se ai po rritet me ritme tepër të shpejta.

Treguesi parësor në vlerësimin e Bankës së Shqipërisë lidhur me ritmet e kreditimit të ekonomisë dhe vendimmarjen për nevojën e mundshme për shtesa kundërciklike të kapitalit është raporti mes rritjes së kreditimit dhe rritjes ekonomike.

Raporti i mësipërm tregon devijimin e vlerës së raportit të kredisë për ekonominë ndaj PBB-së nga prirja e tij afatgjatë dhe është indikatori kryesor që sinjalizon mundësinë e rritjes së tepërt të kreditimit në raport me Prodhimin Kombëtar. Ky prag do të kalohej nëse devijimi i raportit të kredisë ndaj PBB-së me mesataren afatgjatë do të ishte pozitiv me më shumë se 2.1 pikë përqindje.

Sipas arsyetimit të vendimit të Guvernatorit, vlerat e treguesit parësor kanë vijuar të jenë negative deri në tremujorin I 2024, por madhësia e vlerës negative është zvogëluar.

Hendeku i raportit të kredisë ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) ishte -7.2 pikë përqindje, nga -7.84 pikë përqindje që kishte qenë në tremujorin e mëparshëm.

Por, si plotësues të këtij treguesi parësor në vendimmarrjen e Bankës së Shqipërisë, shërbejnë disa elementë të tjerë, të grupuar tek treguesi i paralajmërimit të hershëm (TPHP) dhe që sinjalizojnë zhvillimet në kreditim dhe në aktivet jofinanciare, konkretisht tregun e pasurive të paluajtshme.

Prej disa tremujorësh, ekonomia shqiptare po përjeton një cikël financiar pozitiv të mbështetur mbi rritjen e përshpejtuar të kredisë bankare.

Nëse analizohet ecuria e kredisë që jepet për bizneset, për zhvillim dhe investime në pasuritë e paluajtshme (rezidenciale dhe tregtare), e korrigjuar për efektin e kursit të këmbimit, normat vjetore të rritjes deri në mars 2024, kanë qenë mbi 30% në secilin rast.

Më tej, nëse agregohen kreditë e dhëna për individët dhe për bizneset, për pasuritë e paluajtshme (rezidenciale dhe tregtare), norma e rritjes vjetore e këtij portofoli shënon 25% (nga 21% sipas raportimit në vlerë nominale). Kjo normë rritjeje është dukshëm më e lartë se norma e rritjes vjetore për të gjithë portofolin e kredisë prej 10% (7% sipas raportimit në vlerë nominale), duke evidentuar përshpejtimin e kreditimit.

Sipas Bankës së Shqipërisë, periudha të tilla shoqërohen me nivele të mira të performancës financiare për agjentet e ekonomisë reale dhe për sistemin financiar.

“Megjithatë, këto periudha shoqërohen edhe me fillimin e rreziqeve të caktuara, që mund të lidhen me rënie të standardeve të kreditimit, rritjen e niveleve të përqendrimit të saj në sektorë apo tregje të caktuar, rritjen e niveleve të borxhit për agjentët e ekonomisë reale përtej niveleve të shëndetshme etj.

Këto situata, nëse lejohet të zhvillohen mund ta bëjnë ekonominë dhe sistemin financiar më të ndjeshëm ndaj goditjeve të ndryshme, duke cënuar kështu stabilitetin financiar. Për këto arsye, në këto raste sugjerohet përdorimi i instrumenteve makroprudenciale që zbusin ecurinë e ciklit financiar (veprojnë në mënyrë kundërciklike) dhe parandalojnë zhvillimin e pakontrolluar të këtyre rreziqeve.

Në rastin tonë, zhvillimet pozitive në ciklin financiar reflektohen më mirë nga ecuria e vlerave të Treguesit të Paralajmërimit të Hershëm Plotësues (TPHP). Mbështetur në vlerat e këtij indeksi përgjatë disa tremujorëve, përdorimi i KUNC sugjerohet nga metodologjia “Për përcaktimin e shtesës kundërciklike të kapitalit”,”” thuhet në argumentin e vendimit të bankës së Shqipërisë.

Më tej, banka qendrore shton se, nëse ritmet e kreditimit do të mbeten të larta, mund të priten rritje të tjera të normës së shtesës kundërciklike në periudhat e ardhshme

Në fillim të këtij viti, ishte Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) që i sugjeroi Bankës së Shqipërisë vendosjen e nje shtese kundërciklike kapitali për sektorin bankar. Në deklaratën e Bordit Ekzekutiv të FMN për Shqipërinë, thuhet se vendosja e një shtese kundërciklike në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit për bankat tregtare mund të merret në konsideratë në afatin e mesëm, për të forcuar më tej stabilitetin financiar.

Sugjerimet për aplikimin e një norme kundërciklike nga FMN duket se mbështeten pikërisht tek treguesit e paralajmërimit të hershëm dhe kryesisht tek zhvillimet në tregun e pasurive të palaujtshme dhe të kredisë së dhënë nga bankat për financimin e blerjes së tyre.

Kërkesat minimale për kapital, në rritje të shpejtë

Që prej fillimit të këtij viti, bankat tregtare duhet të plotësojnë një rritje të mëtejshme të kërkesave minimale të mjaftueshmërisë së kapitalit që prej fillimit të vitit të ardhshëm. Shtesa konservuese e kapitalit që prej datës 1 janar 2024 është rritur në 2.5%, nga 2% që ishte detyrimi për tu përmbushur gjatë vitit 2023.

Shtesat markoprudenciale të kapitalit i shtohen kërkesave rregullatore bazë të kapitalizimit të bankave, që përcaktohen në rregulloren “Për mjaftueshmërinë e kapitalit”. Nga 12% që është kufiri minimal bazë i mjaftueshmërisë së kapitalit, me shtesën konservuese prej 2.5% ky kufi ka arritur në 14.5%. Rritja e 1 janarit 2024 është rritja e fundit në ciklin e rritjes graduale pesëvjeçare të shtesës konservuese të kapitalit.

Por, me miratimin e shtesës së re kundërciklike, niveli minimal i treguesit të mjaftueshmërisë së kapitalit tashmë do të arrijë në 14.75%.

Ndërkohë, kërkesat e kapitalizimit janë edhe më të larta për një grup të veçantë bankash, të klasifikuara me rëndësi sistemike. Banka Kombëtare Tregtare (BKT), Banka Credins, Banka Raiffeisen dhe Banka OTP Albania. Aktualisht, BKT ka një kërkesë shtesë në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit prej 1.5%, që bashkë me shtesën konservuese prej 2.5% e çon raportin total të mjaftueshmërisë së kapitalit në 16%, Credins dhe Raiffeisen janë të detyruara të plotësojnë një raport të mjaftueshmërisë së kapitalit 1% më të lartë se bankat e tjera (në total 15.5%), ndërsa OTP 0.5% më shumë se bankat e tjera (në total 15%).

Gjithashtu, bankat me rëndësi sistemike që nga 1 janari 2024 duhet të plotësojnë edhe shtesën e parë të kërkuar të raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit që lidhet me kërkesën minimale për instrumente të kapitalit rregullator dhe detyrime të pranuara (MREL).

Këto banka duhet të përmbushin një shtesë prej 1.5% në raportin e përgjithshëm të mjaftueshmërisë së kapitalit. Kjo e çon kërkesën minimale të raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit nga niveli 16.5% deri në 17.5% për pesë bankat në fjalë. Për të përmbushur kërkesat e reja, disa prej këtyre bankave do të përdorin instrumente të huamarrjes që njihen si pjesë e kapitalit rregullator.

Megjithatë, shtesat e njëpasnjëshme të kërkesave minimale për kapital kanë ngjallur pakënaqësi të hapur nga bankat, që i vlerëson kërkesat shtesë për kapital të tepruara, barrë për aktivitetin e bankave tregtare dhe frenuese për aktivitetin kreditues. Bankat argumentojnë se Bashkimi Europian i aplikon shtesat makroprudenciale sipër një niveli bazë të Raportit të Mjaftueshmërisë së Kapitalit prej 8%, ndërsa Shqipëria ka një nivel bazë 50% më të lartë, në 12%.

Vitin e kaluar, Shoqata Shqiptare e Bankave iu drejtua me një letër bankës qendrore ku kërkonte marrjen në konsideratë të shtyrjes së hyrjes në fuqi të shtesave të lidhura me MREL. Megjithatë, Banka e Shqipërisë e ka refuzuar këtë kërkesë dhe ngelet e palëvizur në pozicionin e saj.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se treguesi mesatar i mjaftueshmërisë së kapitalit për sektorin bankar në fund të tremujorit I 2024 arriti në 19.07%, nga 18.9% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë./Monitor