Çmimet me të cilat u tregtua energjia në Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike pësuan rënie gjatë muajit shtator, në raport me muajin gusht. Sipas të dhënave nga ALPEX çmimi mesatar për shtatorin arriti në 130.21 euro/ mWh, apo rreth 11 euro/ mWh më pak se gushti, kur çmimi mesatar u shënua në 141.26 euro/ mWh.

Sa i takon volumeve të energjisë të tregtuara, edhe shtatori ka shënuar thuajse të njëjtën tendencë me muajt e mëparshëm, teksa përgatë gjithë vitit 2024 përmes këtij instrumenti janë tregtuar rreth 1.1 mln mWh energji.

Ndërkaq, për periudhën janar – shtator, çmimi mesatar për zonat ofertuese të Shqipërisë dhe Kosovës përllogaritet në rreth 100 euro/mWh. Pak kohë më parë ALPEX raportoi pranë Entit Rregullator të Energjisë se në rreth 73% të rasteve çmimet e tregtimit të enegjisë në Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike ndjekin të njëjtin trend me çmimet e Bursës Hungareze.

Kjo në bazë të analizës së kryer midis çmimeve mesatare të saj me ato të HUPX për të gjetur korrelacionin midis tyre. Të dhënat tregojnë gjithashtu se çmimi mestar në Bursën Hungareze, HUPX, rezulton më i ulët në 65.4% të rasteve, ndërsa në ALPEX në 34.6% të rasteve ose 5.01 euro/mWh mesatarisht më i lartë në ditë./Scan