Ka hyrë në fuqi vendimi për autorizimin e skemës së ndihmës shtetërore në formën e grantit “Fondi për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme për vitin 2024.

Ka qenë Komisioni i Ndihmës Shtetërore, që ka marrë vendimin të miratuar me VKM-në nr. 408, datë 19.6.2024, “Për përcaktimin e masës së përfitimit, kritereve dhe kushteve të veçanta të përfitimit për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme për vitin 2024”. Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) ka publikuar skemën e ndihmës shtetërore “Fondi për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme për vitin 2024”. “Skema e mbështetjes financiare për shpenzimet korrente të programit ekonomik (04130) “Mbështetje për zhvillimin ekonomik” të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, është në vlerën 100 000 000 lekë. Fondi mbulon 100% të kostove të miratuara, por jo më shumë se 2,500,000 lekë.

 

 

“Akordimi i granteve synon mbështetjen e projekteve që nxitin rritjen e konkurrueshmërisë së tyre, zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve, inovacionin dhe rinovimin e teknologjisë, zhvillimin e biznesit kreativ, si dhe mbështetjen e grave sipërmarrëse me qëllim nxitjen drejt eksportit. Në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 466, datë 30.7.2021, “Për miratimin e strategjisë së zhvillimit të biznesit dhe investimeve dhe të planit të veprimit për periudhën 2021–2027”, si dhe në zbatim të ligjit nr. 43/2022, “Për zhvillimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme” është përcaktuar se me qëllim mbështetjen dhe zhvillimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, krijohet fondi për zhvillimin e ndërmarrjeve, i cili financohet nga buxheti i shtetit”,-thuhet në vendimin e publikuar në Fletoren Zyrtare. Në këtë të fundit bëhet me dije se fondi përdoret për dhënien e granteve për NMVM-të, me qëllim zbatimin e programeve që synojnë rritjen e konkurrueshmërisë, artizanatit, zhvillimin e të mësuarit rreth ndërmarrjes, zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve të reja si rezultat i kërkim-zhvillimit, zhvillimin e aftësive të ndërmarrjes, inovacionin, rinovimin e teknologjisë, ndërkombëtarizimin e zhvillimin e NMVM-ve dhe mbështetjen e grave sipërmarrëse. Fondi për zhvillimin e ndërmarrjeve administrohet nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) ka ndërmarrë iniciativën për hartimin e këtij projektvendimi për vitin 2024.

Skema e ndihmës do të zbatohet gjatë vitit 2024. Dhënësi i ndihmës është Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Autoriteti përgjegjës për zbatimin e masës është caktuar të jetë Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA). Projekti do të zbatohet në territorin e Republikës së Shqipërisë në të gjithë sektorët e ekonomisë.

PËRFITUESIT DHE KRITERET

Përfitues janë të gjithë aplikantë përfitues të kategorisë ndërmarrje mikro, e vogël dhe e mesme.

 

 

“Aplikuesit për përfitimin e fondit plotësojnë kriteret e përgjithshme të përcaktuara në pikën 5 të ligjit nr. 43/ 2022 “Për zhvillimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme”, si dhe kriteret e veçanta të lidhura me projektplanin e biznesit, si më poshtë: përputhshmërinë e planit të biznesit me objektin dhe qëllimet e dhënies së fondit, duke pasur në fokus nxitjen drejt eksportit dhe forcimin e aftësive të NMVM-ve, lidhur me shërbimet dhe produktet për një treg të qëndrueshëm; saktësinë dhe objektivitetin e planit të biznesit, elemente të cilat identifikohen nëpërmjet rezultateve të matshme nga realizimi i tij; përshkrimin e aktiviteteve që do të realizohen, i cili duhet të jetë i detajuar dhe i qartë; qartësinë e përshkrimit të impaktit dhe rezultateve të matshme; të dhëna konkrete që aktivitetet e ndërmarrjes rritin numrin e të punësuarve; të dhëna konkrete dhe të argumentuara për impaktin pozitiv mjedisor”,-thuhet në vendim.

Forma dhe vlera e ndihmës

Skema e mbështetjes financiare për shpenzimet kapitale, që përdoret për mbështetjen e projekteve të investimeve, të programit ekonomik “Mbështetje për zhvillimin ekonomik” të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit është në vlerën 51 830 000 lekë. “Ky fond ndarë si më poshtë vijon: projekte për inovacionin, në vlerën 15 000 000 (pesëmbëdhjetë milionë) lekë, mbulon 100% të kostove të miratuara, por jo më shumë se 1 000 000 (një milion) lekë; projekte për konkurrueshmërinë, në vlerën 21 830 000 (njëzet e një milionë e tetëqind e tridhjetë mijë) lekë, mbulon 100% të kostove të miratuara, por jo më shumë se 1 500 000 (një milion e pesëqind mijë) lekë; projekte për startup-et, në vlerën 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë, mbulon 100% të kostove të miratuara, por jo më shumë se 800 000 (tetëqind mijë) lekë; projekte në mbështetje të artizanatit, në vlerën 5 000 000 (pesë milionë) lekë, mbulon 100% të kostove të miratuara, por jo më shumë se 800 000 (tetëqind mijë) lekë”- thuhet në vendim.

Më tej Komisioni i Ndihmës Shtetërore vlerëson nëse plani i ndihmës shtetërore përbën ndihmë shtetërore në kuptim të nenit 4, pika 1, e ligjit nr. 9374, datë 21.4.2005, “Për ndihmën shtetërore”, të ndryshuar, pra nëse plani ofron një avantazh ekonomik për ndërmarrje, të cilat kanë një ndikim të mundshëm në konkurrencë dhe tregtinë midis shteteve anëtare, që nuk do të ishte përfituar në kushte normale të tregut. “Neni 4, pika 1, e ligjit nr. 9374, datë 21.4.2005, “Për ndihmën shtetërore”, i ndryshuar, përcakton se: “Përveç rasteve të parashikuara ndryshe në këtë ligj, ndalohet çdo ndihmë e dhënë nga burimet shtetërore, në çfarëdolloj forme e cila, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, shtrembëron ose kërcënon të shtrembërojë konkurrencën duke dhënë përparësi për një ose disa ndërmarrje të caktuara ose për prodhimin e produkteve të caktuara, për aq sa mund të ketë ndikim në plotësimin e detyrimeve të ndërmarra nga Republika e Shqipërisë në marrëveshjet ndërkombëtare që përmbajnë dispozita të ndihmës shtetërore”. Gjithashtu, neni 71 “Konkurrenca dhe dispozita të tjera ekonomike”, i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ndërmjet Komuniteteve Evropiane e Shteteve të tyre Anëtare dhe Republikës së Shqipërisë 1 përcakton se: “Praktikat në kundërshtim me këtë nen vlerësohen në bazë të kritereve që lindin nga zbatimi i rregullave të konkurrencës të aplikueshme në Komunitet, sidomos në nenet 81, 82, 86 dhe 87 të Traktatit themelues të Komunitetit Evropian dhe instrumenteve interpretuese që përdoren nga institucionet e Komunitetit.””,-nënvizohet në QBZ.

DEKLARATA E NDIHMËS

Çdo përfitues i ndihmës duhet të nënshkruajë deklaratën e ndihmës “De-minimis” dhe të dorëzojë një kopje të deklaratës pranë AIDA. AIDA brenda datës 31 mars të çdo viti të paraqesë raport për impaktin e ndihmës shtetërore gjatë vitit paraardhës financiar. Raportet e zbatimit duhet të përmbajnë informacion të detajuar mbi shpenzimet e bëra dhe produktet e arritura. Të gjitha të dhënat për zbatimin e skemës të ruhen deri në dhjetë vjet, pasi ndihma e fundit individuale të jetë dhënë në kuadër të kësaj skeme. Ky vendim të botohet në Fletoren Zyrtare.

Ligji i ndihmës shtetërore zbatohet vetëm për masat që plotësojnë të gjitha kriteret e përmendura konkretisht: burime shtetërore; avantazhi ekonomik; përzgjedhja; dhe efekti në konkurrencë dhe treg. Plani i ndihmës aktivizon burime shtetërore që do të zbatohet nga AIDA financohet me burimet shtetërore, buxheti i shtetit. Skema i jep një avantazh përfituesve në formën e granteve direkte, të cilin ndërmarrjet nuk do ta kishin përfituar në kushtet normale të tregut.

Avantazhi i dhënë nga skema është selektiv, pasi do të jepet vetëm për ndërmarrjet të caktuara. Skema mund të shtrembërojë konkurrencën, pasi forcon pozicionin konkurrues të përfituesve të skemës, si edhe ndikon në tregtinë përfshirë dhe ndërkombëtare, si përfitues që operojnë edhe në sektorë në të cilët ekziston tregtia në rajon.

DOKUMENTACIONI QË NEVOJITET PËR APLIKIM

Formulari i kërkesës i plotësuar

  • Formulari i buxhetit
  • Certifikata e regjistrimit në regjistrin tregtar
  • Ekstrakti historik i regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) me status aktiv
  • Deklarata për kategorinë e NMVM-së, në përputhje me parashikimin e dhënë në nenin 5, të ligjit nr.43/ 2022 ‘Për zhvillimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme”
  • Vërtetim që subjekti ka paguar të gjitha detyrimet tatimore/sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, të shkarkuara nga “ e-Albania”
  • Vërtetim nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave që ka paguar detyrimet doganore, në rastin kur NMVM-ja është eksportuese të shkarkuar nga “ e-Albania”
  • Formulari i deklarimit të të ardhurave/pasqyrat financiare të vitit të fundit, të certifikuar nga administrator i NMVM-së
  • Kopje të ID të administratorit të NMVM-së ose prokurë përfaqësimi dhe ID-ja e përfaqësuesit , në rast se aplikuesi nuk është administrator i NMVM-së
  • Dëshmi penaliteti të drejtuesit ekzekutiv/administratorit, të rifreskuar ( jo më shumë se 30 ditë nga data e aplikimit për fonde), e shkarkuar nga “ e-Albania”
  • Çdo dokument tjetër shoqërues, që në vlerësimin e aplikuesit, mbështet aplikimin e tij.

    GazetaShqiptare