Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi sot projektligjin “Për aderimin e Shqipërisë në marrëveshjen për themelimin e Organizatës Ndërkombëtare të Vreshtarisë dhe Verës (OIV)”.

Projektligji u prezantua nga Enio Civici, zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe u relatua nga deputetja Antoneta Dhima.

Gjatë prezantimit, Civici sqaroi thelbin dhe rëndësinë e marrëveshjes, përfitimet e pritshme të vendit nga aderimi në Organizatën Ndërkombëtare të Vreshtarisë dhe Verës, si dhe nënvizoi se projektligji synon të ndikojë në përmirësimin dhe zhvillimin e politikave publike dhe praktikave për prodhimin e rrushit, metodat dhe analizat në funksion të rritjes së sigurisë ushqimore, etj.

Ndërsa deputetja Dhima vlerësoi rëndësinë e projektligjit në drejtim të nxitjes dhe mbështetjes së prodhuesve shqiptarë të verës, mbrojtjen e konsumatorëve, minimizimin e barrierave tregtare, etj./ata