Drejtuesi i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit, Altin Dumani deklaroi sot se, çështje te mbartura janë problem teksa u shpreh se po përpiqet të mbështesë çdo prokuror që të hetojë sa më shpejt këto çështje.

I pyetur nga kreu i grupit parlamentar të PD lidhur me çështjen e mikrokredive, Dumani tha se, “kjo nuk është një çështje e mos filluar nga SPAK. Edhe nga vetë përmbajtja e vetë njoftimit të GJKKO-së evidentohet qartësisht si është historia e atij kallëzimi. këtë çështje e ka trajtuar Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Ka disponuar me një kërkesë për pushim Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe i është drejtuar gjykatës së shkallës së parë Tiranë me kërkesën për pushim. Gjykata e shkallës së parë Tiranë ka shpallur moskompetencën dhe i ka kaluar aktet tek GJKKO ku ne tashmë jemi thirrur si palë dhe prokurori i SPAK nuk ka shprehur qëndrim për lënien në fuqi të vendimit të pushimit. Dhe nuk është e vërtetë që SPAK është investuar me një vendim apo kërkesë për pushim”.

Për çështjet e mbartura Dumani tha se, “është një problematikë. Si drejtues i SPAK me aq sa më lejon ligji kam bërë të gjithë përpjekjet për të nxitur prokurorët dhe hetuesit për t’i krijuar atyre kushtet me qëllim evadimin sa më shpejt të çështjeve. Kam analizuar me prokurorët e SPAK gjithë çështjet që ata kanë, kryesisht çështjet e mbartura, pa e prekur thelbin fare, me prokurorë dhe me hetues si drejtues u kam ofruar gjithë ndihmën time duke i shtuar një prokuror në grupin e hetimit, duke shtuar numrin e hetuesve. Gjatë vitit 2023 ka pasur edhe ecuri edhe çështjet kanë filluar që të evadohen”, u shpreh Dumani.

“Hetimi i çështjeve nuk është aq i thjeshtë sa prezantohet. hetimi është i vështirë sidomos kur vjen puna tek çështjet me natyrë korruptive, të cilët janë krimet më të vështira për t’u hetuar dhe krimet në detyrë sepse është krim intelektual dhe intelektuali para se të bëjë krimin përpiqet të fshijë edhe gjurmët e krimit”, tha Dumani.

Për çështjen e inceneratorit të Tiranës, Dumani tha se, “është në hetim paraprak. Kemi bërë herë pas here me dije publikun për ecurinë, për zhvillimet e hetimit, sa herë ka pasur rast për t’ë vënë në dijeni publikun gjatë gjithë vitit 2023. Kjo çështje ka pasur zhvillime të herë pas hershme. Çështja është në hetim paraprak, vazhdon të hetohet çdo fakt i kallëzuar si dhe verifikohet pozicioni apo përfshirja e çdo personi. Çështja është në hetim paraprak, është shumë kompleks”.

I pyetur për hetimin për fondet IPARD, Dumani tha se, “është çështje në hetim paraprak. Po hetohet çdo dite, ka një dinamikë hetimi të përditshme, kështu që nuk mund të jap më shumë detaje”./ata