Shtatë dekada pas vënies së parë në skenë, opereta “Agimi” u rikthye në teatrin “Andon Zako Çajupi”, si pjesë e MIK Fest, mbështetur nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri. Me regjinë e Inva Mulës, kjo vepër e luajtur për herë të parë në vitin 1954 përçoi edhe njëherë dashurinë për jetën dhe për vendin.

“Jemi krenarë që këtë vit në MIK Fest mbështesim vlerat që shkojnë krah për krah me artin, kulturën dhe traditën e bukur shqiptare”, u shpreh në një postim të tijin online, Delegacioni i BE në Shqipëri.

E veçanta e edicionit të këtij viti ishte bashkëpunimi i MIK Festival me orkestrën e Forcave të Armatosura, koncert i cili u mirëprit nga qytetarët korçarë por edhe vizitorët e shumtë, një pjesë e të cilëve gjendeshin aty enkas për MIK Festival.

Për organizatoren, Inva Mula, ky edicion ishte më i bukuri dhe më i veçanti.

Lidhur me operetën e sjellë pas 70 vjetësh, Mula është shprehur se ajo ishte një vepër e cila e meritonte t’i jepej frymë e dritë, pasi ajo përmban motive të pastra shqiptare dhe është guri i parë i themelit të artit skenik vokal shqiptar.

Përveç shfaqjes në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi”, MIK Festival ka meritat edhe të dixhitalizimit të veprës, duke mundësuar qëndrimin e saj në çdo bibliotekë, për t’i mbetur historisë së muzikës.

Në deklarimet e saj për mediet, Inva Mula u shpreh se MIK Festival, në edicionin e tij të 7-të ishte një festival i ri në moshë, pasi të tillë e bën mosha e artistëve pjesëmarrës, si për shembull kori i drejtuar nga Suzana Turku, i cili kishte një moshë mesatare prej 24 vjeç.

Ky edicion i shtate u çel me udhëtimin artistik me pianistin dhe muzikologun Red Radoja. Më pas, pjesë e festivalit u bë trioja nga Maqedonia e Veriut, ku interpretojnë sopranoja Dëshira Ahmeti, George Petrushevski në oboe dhe Jordan Petrushevki në piano, pati artistë nga Franca si dhe plot artistë vendas të ftuar si: Blerta Zhegu, Ramona Tullumani, Simona Karafili, Dëshira Ahmeti, Gjergji Mani, Ionela Mani, Igli Tuga etj.

Aktiviteti i përmbyllës i edicionit 2024, u zhvillua në oborrin e kishës së Shën Kollit në Voskopojë, me një program të thjeshtë por njëkohësisht shpirtëror, me Ave Mariat nga Shubert, Bah etj., me akustikë natyrale.

Mik Festival i ideuar dhe i drejtuar nga sopranoja shqiptare me famë botërore Inva Mula është përqendruar në Korçë e rrethinat e saj, pasi dhe idea për t’a realizuar, sopranos Mula, i ka lindur pikërisht aty, në këtë qytet që siç thotë ajo, ka stofin e artit të madh.

“Sa më shumë gërmon në Korçë aq më shumë zbulon personazhe që historia i ka marrë në artin shqiptar, por që kanë vendlindjen në Korçë”, shpreht Mula. Madje ajo vete, çmimet e para si këngëtare profesioniste i ka marrë në vitin `87, pikërisht në Korçë.

Mik Festival është ndër të vetmet evente artistike në Shqipëri që ofrohet pa pagesë për të gjithë artdashësit./ata