Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka deklaruar se “emigrantët e paligjshëm janë armiqtë e atyre të ligjshëm”, derisa ka shpjeguar qasjen e re të qeverisë së saj në Forumin e Migracionit Trans-Mesdhetar në Tripoli të Libisë.
“Ne nuk kemi mundur të lejojmë shumë emigrantë të ligjshëm të vijnë në Itali vitet e fundit, sepse kemi pasur shumë të paligjshëm. Organizatat kriminale duan të vendosin se kush ka të drejtë të hyjë në vendin tonë dhe kush jo”, tha Meloni.
Meloni theksoi se qeveria e saj e ekstremit të djathtë ka miratuar dekrete për zgjerimin e kuotave për emigrantët e ligjshëm që lejohen të hyjnë në Itali për tre vjet, duke favorizuar vendet që ndihmojnë Romën të luftojë kundër trafikantëve të qenieve njerëzore.
“Mendoj se të gjithë mund ta shohin se Mesdheu është një prioritet për këtë qeveri italiane dhe Mesdheu nuk mund të ekzistojë pa Italinë dhe Libinë së bashku”, tha kryeministrja italiane para autoriteteve libiane.
Meloni ka këmbëngulur se adresimi i flukseve të emigracionit ka nevojë për një “qasje 360 gradë”, në gjendje për të trajtuar çështjen në një mënyrë gjithëpërfshirëse.
Roma synon të investojë në vendet e Afrikës së Veriut përmes të ashtuquajturit ‘Plani Mattei’, i cili synon të adresojë rrënjët e emigrimit të parregullt duke e kthyer Italinë në një lloj qendre për furnizimet me energji.
“Rruga e duhur është bashkëpunimi strategjik midis të barabartëve, duke çuar investime në Afrikë që zgjidhin problemet për të dyja palët”, tha Meloni./AA