Policia e Fierit ka arrestuar këtë të enjte 33-vjeçarin e shpallur në kërkim për mbajtjen peng dhe prostituimin e një 24-vjeçareje nga Patosi.

 

Në pranga ka rënë Arbër Mehmeti, i cili akuzohet për veprat penale: “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”.

 

“Nga hetimet e kryera nga Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Fier në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Imponimi”, të zhvilluar tre ditë më parë, rezultoi se 33-vjeçari, në bashkëpunim me 3 shtetase tashmë të arrestuara, i kanë hequr lirinë, nëpërmjet kërcënimit dhe dhunës, një 24-vjeçareje dhe e kanë shfrytëzuar atë për prostitucion, për një periudhë dymujore, në banesa me qira dhe në hotele të ndryshme në qytetin e Fierit”-njofton policia.

 

Për këtë ngjarje më herëtjanë arrestuar 3 gra Aleksandra Toska, Pranvera Isufaj dhe një 17-vjeçare.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, për veprime të mëtejshme.