Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot pamje të Tulipanit shqiptar, i cili është shpallur “Monument Natyre” në mars të vitit 2023.
Shkencërisht njihet edhe si “Tulipa albanica” dhe është një bimë 100% endemike shqiptare, theksoi Kumbaro
Rritet në kushte natyrale vetëm në Shqipëri dhe gjendet në një hapësirë të kufizuar në qarkun e Kukësit, nënvizoi ministrja.
“Tulipa albanica” është lloj i rrezikuar pasi rritet në një territor më të vogël se 80 hektarë, ose më të vogël se 1 km2 dhe rrezikohet jashtë mase nga aktiviteti minerar në zonë.
Tulipani shqiptar ngjan me tulipanin e Sardenjës “Tulipa scardica” dhe me “Tulipa schrenkii”, por dallon nga to pasi ka gjethe me valëzim si dhe është i ndryshëm nga ana gjenetike.
Zbuluesit e kësaj specie janë prof as. dr. Lulëzim Shuka, pedagog i Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës, në bashkëpunim me prof. Kit Tan, pedagoge në Institutin e Biologjisë në Universitetin e Kopenhagenit, Danimarkë.
Në botë deri tani njiheshin rreth 113 lloje tulipanësh, ndërsa tulipani i Kukësit renditet i 114.