Kryetari i Partisë së Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, u bëri thirrje deputetëve demokratë të mos votojnë mbylljen e listave zgjedhore, sipas asaj që ai e cilësoi, “pazari i radhës Rama-Berisha”.

Basha në një deklaratë për mediat, tha se “të enjten në Kuvend pritet të konsumohet atentati i radhës ndaj Kushtetutës, duke mbyllur listat zgjedhore”.

“Siç kemi paralajmëruar prej kohësh po avancojnë me fazën e tretë të këtij pazari i cili parashikohet të marrë formë të enjten, apo me gjasa të premten e kësaj jave, në seancën e fundit para gushtit që është pakti i Edi Ramës dhe Sali Berishës për të rimbyllur listat që hapi Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj”, tha Basha.

Ai tha që “padiskutim hapi i fundit pas kësaj siç kam paralajmëruar do të jetë goditja pikërisht e drejtësisë, e SPAK për të pamundësuar misionin që është krijuar.

“Ndaj ju kërkoj sot në emër të asaj vote që keni marrë 3 vite më parë të refuzoni pazarin e Edi Ramës me Sali Berishën për rimbylljen e listave të shqiptarëve. Shqiptarët nuk do t’ua falin nëse shkelni interesin publik, nëse shkelmoni interesin e shqiptarëve për të votuar atë që duan ata dhe jo atë që iu dikton kryetari i partisë. Detyra juaj është që të përfaqësoni interesin qytetarë dhe jo interesin e tyre”, u shpreh Basha.

I pyetur mbi rihapjen e dosjes së 21 Janarit, Basha tha se nëse thërritet nga SPAKi do të paraqitet.

“Pa diskutim nëse thirrem nga SPAK do të paraqitem.  Meta? Po të merremi me mashtrimet e tij, dita do duhet të jetë 48 orë, jo 24 orë”, tha Basha.

Basha tha po ashtu se sot kjo forcë politike do të dorëzojë në Gjykatën e Lartë rekursin për vulën dhe logon e Partisë Demokratike.

“Sot dorëzojmë rekursin në Gjykatën e Lartë. Zbardhjen e vendimit të Apelit tregon sesa skandaloz dhe i hapur ka qenë presioni politikë ndaj gjyqtarëve. Apeli ka thënë që ne nuk kishim të drejtë të ishim palë në atë gjyq. Kjo me dy fjalë do të thotë të jesh në shtëpinë tënde dhe të vi dikush e të thotë që kjo nuk është e jotja, por është e imja dhe ti s’ke të drejtë as të ankohesh në gjykatë. Kur e mendon se kjo ka ndodhur me të vërtetë dhe në shtëpitë dhe pronat e shqiptarëve, kupton se sa e tmerrshme ka qenë kjo padrejtësi, se çfarë batërdije kanë bërë gjyqtarët në pronat e shqiptarëve, u kanë marrë pronat e baballarëve, të gjyshërve, të familjes”, tha Basha.