Të paktën 93 palestinezë u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në sulmet e ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës gjatë natës.

Ushtria izraelite vazhdon sulmet e saj nga ajri, deti dhe toka në ditën e 291-të ndaj Rripit të Gazës.

Në lajmin e agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve WAFA, thuhet se Izraeli ka kryer sulme intensive gjatë natës ndaj qytetit Khan Yunis në jug të Rripit të Gazës si dhe qytetit të Gazës në veri dhe Deyr al-Belah dhe Jabalia në pjesën qendrore.

Raportohet se 77 persona kanë humbur jetën ndërsa 200 persona janë plagosur dhe mbi 30 persona janë ende nën rrënoja në sulmet e kryera nga ushtria izraelite në rajonin Khan Yunis të Rripit të Gazës.

- Sulmet izraelite në Gaza dhe Jabalia

Ndërkaq në sulmet izraelite në qytetin e Gazës dha Jabalia kanë humbur jetën 16 palestinezë.

Janë bombarduar edhe shtëpi në kampin e refugjatëve Jabalia që ndodhet në veri të Rripit të Gazës. Në këto sulme kanë humbur jetën 4 civilë dhe shumë persona janë plagosur.

Gjithashtu 4 persona kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë janë plagosur si pasojë e bombardimit të shtëpisë së familjes "Al-Jamasi" në qytetin verior të Gazës. Një shtëpi në lagjen Es-Sabra në qytetin e Gazës është goditur nga ajri, ndërsa nga sulmi 8 palestinezë kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur.

Numri i palestinezëve të vrarë që nga 7 tetori i vitit 2023 në sulmet izraelite ka arritur në 39.006, prej të cilëve të paktën 16.172 fëmijë dhe 10.798 gra ndërsa i të plagosurve në 89.818.

Thuhet se nën rrënoja dhe përreth rrugëve ende ka kufoma të të vrarëve ndërsa ekipet shëndetësore dhe të Mbrojtjes Civile nuk kanë mundur të mbërrijnë tek trupat për shkak të pengesave nga forcat izraelite.

Duke shpërfillur një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm, Izraeli ka vazhduar ofensivën e tij brutale në Rripin e Gazës që nga një sulm i 7 tetorit nga grupi i rezistencës palestineze, Hamas.

Mbi nëntë muaj pas fillimit të sulmeve izraelite, pjesë të gjera të Gazës qëndrojnë në gërmadha, krahas një bllokade paralizuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila në vendimin e saj të fundit urdhëroi Tel Avivin të ndalonte menjëherë operacionin e tij ushtarak në qytetin jugor Rafah, ku më shumë se 1 milion palestinezë kishin kërkuar strehim nga lufta përpara se të pushtohej më 6 maj./AA