Paraja që qarkullon jashtë bankave në Shqipëri ka vijuar tendencën në rritje edhe gjatë muajit korrik të këtij viti dhe ka regjistruar një nivel rekord. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, paraja jashtë korporatave depozituese ka arritur në rreth 402.6 miliardë lekë, apo rreth 4 miliardë euro, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë. Në muajin qershor, paraja jashtë bankave ishte në rreth 395 miliardë lekë apo 3.95 miliardë euro. Në këtë mënyrë, vihet re një rritje mujore e parasë jashtë bankave me 7.6 miliardë lekë, ose me 1.75%. Tendenca në rritje e parasë jashtë bankave vijon për të katërtin muaj me radhë dhe njëkohësisht regjistrohet niveli më i lartë në histori.

Shtimi i këtij treguesi vit pas viti pasqyron edhe më mirë trajektoren rritëse të parasë jashtë korporatave depozituese, ku përfshihen të gjitha institucionet financiare që pranojnë depozita të transferueshme. Në korrik të vitit 2023, paraja jashtë bankave ishte në rreth 392 miliardë lekë, rreth 10 miliardë lekë më pak se korriku i këtij viti.

Paralelisht, në rritje ka qenë edhe treguesi i parasë së gjerë, ose siç njihet ndryshme Agregati M3, që përfshin paratë në qarkullim jashtë sistemit të korporatave depozituese, plus depozitat me afat në lekë të rezidentëve, plus të gjitha depozitat e llogaritë në valutë të jorezidentëve. Për muajin korrik, paraja e gjerë arriti në 1.71 trilionë lekë apo 10.7 miliardë dollarë, nga 1.69 trilionë lekë që ishte në muajin qershor. Rritja e Agregatit M3 mund të kishte qënë akoma më i lartë, por është frenuar disi nga mbiçmimi i lekut ndaj euros me rreth 5%, gjatë këtij viti.

Agregati tjetër i rëndësishëm, M2, ku përfshihen paratë jashtë korporatave depozituese, plus depozitat me afat në lekë të rezidentëve jobanka, ka shënuar rritjen më të madhe, me rreth 11 miliardë lekë, brenda një muaji. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, M2 është rritur në 997,7 miliardë lekë në korrik, nga 986.8 miliardë lekë, që ishte në qershor./Scan