Prezenca e OSBE-së në vendin tonë ka reaguar pas amendamentit të propozuar nga gratë e politikës shqiptare për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, përmes së cilës deputetet e PS dhe PD kërkuan garantimin se në listën fituese 1 në 3 të jetë kandidate grua.


OSBE u shpreh se ndryshimet në Kodin Zgjedhor duhet të garantojnë pozitën udhëheqëse të Shqipërisë në lidhje me përfaqësimin gjinor në Parlament.

“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri çmon përparimin e jashtëzakonshëm në fushën e barazisë gjinore që ka bërë Shqipëria gjatë viteve të fundit, veçanërisht për pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e grave në jetën politike.

Ne mirëpresim përpjekjet aktuale ndërpartiake, të drejtuara nga gratë deputete, dhe shpresojmë që ndryshimet në Kodin Zgjedhor të garantojnë pozitën udhëheqëse të Shqipërisë në rajon e më gjerë në lidhje me përfaqësimin gjinor në parlament”, thuhet në reagimin e OSBE./GazetaShqiptare