Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit, Jorida Tabaku, i ka kërkuar kreut të SPAK, Altin Dumani që të emërojë një prokuror special të dedikuar për të hetuar krimet zgjedhore.

 

Ky propozim, sipas saj, vjen pasi është e papranueshme që Shqipëria me negociata të hapura me Bashkimin Europian të ketë zgjedhjet problem.

 

“Në emër të opozitës Z. Dumani ju kërkoj që një prokuror special të caktohet sa më shpejt i dedikuar për të hetuar krimet zgjedhore, ku një procedure e thjeshtë dhe e shpejtë menjëherë të marrë vendime”, tha Tabaku gjatë mbledhjes së të premtes.

 

“Propozim që vjen pasi është e papranueshme që Shqipëria me negociata të hapura të ketë zgjedhjet problem; të ketë krimin e organizuar që angazhohet në zgjedhje, të ketë dosje që dëshmojnë lidhjen krim-politikë”.

 

Tabaku tha ndër të tjera se qëllimi i opozitës është shndërrimi i procesit të integrimit në një proces gjithëpërfshirës.

 

“Sot për herë të parë kemi në këtë këshill ministren e cila vjen të raportojë mbas raportimit të tetorit mbi progres raportin. Qëllimi i opozitës, edhe i imi personal, është shndërrimi i procesit të integrimit në një proces gjithëpërfshirës. Pra, në një proces kombëtar!”, tha ajo.